Samiti i G8-ës në Uashington

19/05/2012 19:40

Samiti i G8-ës ka nisur punimet në Camp David pranë Uashingtonit ku liderët e vendeve më të industrializuara të botës po përqendrohen në takimin e tyre vjetor tek problemet ekonomike të Europës.

Presidenti amerikan Barack Obama kërkon nga përfaqësuesit e tetëshes të përqendrohen tek alternativa që sjellin rritje ekonomike në diskutimet e tyre për kapërcimin e borxhit që kërcënon Eurozonën.

Problemet ekonomike të 17 vendeve përdoruese të monedhës së përbashkët mund të ndikojnë negativisht edhe jashtë Eurozonës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ndaj shefi i Shtëpisë së Bardhë e konsideron këtë cështje një prioritet.

Por investitorët druhen se dalja e Greqisë nga unioni i monedhës së përbashkët do të shkaktonte një krizë të re globale. Pështjellim ka shkaktuar dhe lajmi i një dite më parë se kancelarja gjermane Angela Merkel ka sugjeruar mbajtjen e një referendumi me të cilin grekët të thonë fjalën e tyre për euron.

Njoftimi i zëdhënësit të qeverisë së përkohëshme greke u përgënjeshtrua shpejt nga Berlini zyrtar, por ka lënë pas pikëpyetje. Nëse Merkel e ka hedhur vërtet një ide të tillë, kjo do të përbënte një kthesë befasuese në qendrimin e kancelares.

Nëntorin e kaluar, një propozim të tillë e bëri fillimisht ish-kryeministri Jorgos Papandreu. Por deklarata e tij shkaktoi zemërimin e Merkelit dhe presidentit francez Nicolas Sarkozy, i cili u tërbua nga ideja që qeveria greke mund të luante një lojë kaq të rrezikshme me euron.

Papandreu u detyrua asokohe të hiqte dorë nga plani që në fund, i kushtëzoi edhe postin e kreut të qeverisë. Në qoftë i vërtetë, a mund të jetë tani sugjerimi i Merkelit pjesë e një dominoje të nivelit të lartë ose ndoshta Berlini, thotë BBC, dhe të tjerë pas tij marrin parasysh sondazhet e opinionit, sipas të cilave shumica e grekëve duan të qendrojnë në eurozonë.

Krizës së Eurozonës iu referua më parë edhe Obama i cili deklaroi se zgjidhje e ngërçit të borxhit ka rëndësi të jashtëzakonshme. Bashkë me presidentin francez Francois Hollande, të dy e bënë të qartë se kërkojnë të fokusohen tek rritja ekonomike.

Në darkën e çeljes së samitit të premten, u diskutuan edhe ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut, situatës në Siri si dhe cështja e Iranit për të cilin liderët ishin njëzëri dakort se duhet të provojë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

Pas mbylljes se punimeve të samitit të G8-ës mbrëmjen e së shtunës, shumica e liderëve pjesëmarrës do të udhëtojnë drejt Cikagos për t’iu bashkuar grupit më të madh të zyrtarëve ndërkombëtarë që marrin pjesë në samitin dy ditore të NATO-s, axhenda e të cilit do të fokusohet tek Afganistani.

Top Channel