Pierce Brosnan sërish spiun

19/05/2012 00:00

Pierce Brosnan do të kthehet sërish në ekranin e madh, në rolin e një
spiuni, të ngjashëm me James Bond që e bëri të famshëm në mbarë botën.

Aktori do të interpretojë në filmin “November Man”, bazuar në novelën e spiunazhit të shkrimtarit Bill Granger, xhirimet e të cilit do të nisin së shpejti.

Filmi tregon historinë e një ish-operativi të CIA-s (Brosnan), që kthehet në terren për një mision personal dhe e gjen veten përballë ish-nxënësit të tij, në një lojë spiunazhi ku përfshihen zyrtarë të lartë të administratës amerikane dhe presidenti i zgjedhur rus.

Në këtë film do të interpretojë edhe aktori i ri Dominic Cooper, i njohur për performancën në “Mamma Mia”, ndërkohë që regjia do t’i besohet Roger Donaldson, i njohur për filmin “Dante’s Peak”.

Ideja për këtë film lindi nga vetë Brosnan, i apasionuar pas novelave të Granger dhe produksioni do të mbajë firmën e kompanisë së tij kinematografike “Irish Dream Time”.

“’November Man’ ka qenë pasioni im dhe i kompanisë sime. Mezi po pres të punoj me Roger dhe Dominic për të bërë një film të madh”, është shprehur Brosnan.

Ish-agjenti 007 ka lënë të kuptohet se, nëse filmi në fjalë do të ketë sukses, atëherë ai mund të pasohet nga episode të tjera duke u bazuar në sagën best-seller të Granger.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA