Për analistin Gabriel Partosh kriza në Greqi ndikon negativisht në Shqipëri. Ai thotë se kthimi i dhrahmisë do ulte vlerën e të ardhurave dhe kursimeve të emigrantëve në greqi dhe do vështirësojë e eksportet shqiptare në këtë vend.

 

Intervista

Top Channel: Vendet fqinje me Greqinë janë të ndërlidhura me Athinën, përmes remitancave, bankave dhe tregtisë. Cilat mund të jenë implikimet për këto vende fqinje me Greqinë, nëse Greqia do t’i rikthehet dhrahmisë dhe nëse ajo do të çvlerësohej me shpejtësi, cfarë pasoja do të ketë për remitancat apo eksportet dhe importet me Greqinë?

Analisti Gabriel Partosh: Qartazi të gjithë po përpiqen të shmangin këtë lloj situate, thjeshtë sepse pasojat janë shumë të mëdha. Për shembull në rastin më të paktët, nëse Greqia del nga euro dhe e zëvendëson monedhën me dhrahmin, ka shumë gjasa që me kalimin e kohës dhe ndoshta shumë shpejt, dhrahmia greke do të humbasë vlerën e saj, do çvlerësohet, sepse ajo do të ishte e vetmja rrugë përmes së ciles Greqia mund të rigjallërojë fuqinë e saj si një vend eksportues. Me fjalë të tjera që produktet e saj të bëhen më të lira, ose edhe të tërheqë shumë më shumë turistë në Greqi, nëse dhrahmia do të çvlerësohej kundrejt euros apo monedhave të tjera. Por cilat do jenë pasojat e kësaj gjëje? Emigrantët që punojnë atje jo vetëm nga Shqipëria, por edhe vende të tjera, vlera e remitancave të tyre do të bjerë dhe në fakt do çvlerësohen në një masë shumë shumë të madhe, pikërisht sepse vlera e dhrahmisë me të cilën ata do paguhen, do të jetë shumë më e pakët, jo vetëm kundrejt euros, por edhe kundrejt lekut shqiptar dhe monedhave të tjera. Kjo është një pasojë shumë e rëndë. Po ashtu edhe kursimet në bankat greke, të cilat sërish do jenë të depozituar në dhrahmi, edhe ato do të humbasin vlerën e tyre. Për vendin në tërësi si një vend eksportues dhe partner tregtar, për vendet fqinje do të bëhet shumë më e vështirë të eksportojnë në Greqi, nëse monedhat e tyre do të bëhen më të forta se sa dhrahmia. Pasojat në fakt nga cilido këndvështrim që t’i shikosh janë shumë serioze.

Top Channel: Ka shumë banka me pronësi greke, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të rajonit. Nëse dikush që ka depozituar parat e veta në këto banka, sa i shqetësuar duhet të jetë ai ose ajo, për këto depozita, nisur nga ajo që po ndodh në Greqi ose ajo që eventualisht po përflitet si Armagedoni grek?

Gabriel Partosh: Nëse shikon situatën në mënyrë të matur dhe të distancuar, është e qartë se shumë nga filialet e bankave greke që operojnë në rajon, qoftë në Shqipëri apo Bullgari apo Rumani, këto banka natyrisht janë shumë të rëndësishme. Për shembull, në Bullgari rreth një e treta e aseteve bankare të vendit janë prona të bankave greke. Këto filiale janë entitete më vete dhe kanë mekanizmat e tyre mbrojtës. Natyrisht nëse bankat greke shfaqin probleme në mënyrën se si financojnë filialet e tyre, në një kuptim financimet potencialisht do të ndërpriten, ose preken shumë rëndë, cfarë mund të bëhet në një situatë të këtillë? Këto banka do duhet të tërheqin më shumë nga depozitat e tyre nga dhe të krijojnë financime në nivelin lokal në këto vende, në mbarë rajonin, në Shqipëri apo Bullgari. E dyta, ato mundet nëse do të ekzistojë rreziku që paratë të transferohen jashtë vendit, pra në Greqi, të aplikohen disa masa kontrolli për të penguar këtë lloj fluturimi kapitalesh. Pra janë tërë këto mundësi, por ka rrugë dhe forma që cdo rezultat serioz të paktën të lehtësohet, nëse nuk do të mundej që të eliminohet dot plotësisht.

Top Channel: Zoti Partosh, cfarë mundet të bëjnë qeveritë e këtyre vendeve në rajon për të penguar atë që mund të rezultojë e pashmangshme?

Gabriel Partosh: Qeveritë kombëtare të vendeve në rajon nuk mund të pengojnë dot Greqinë nga largimi prej Eurozonës, nuk e ndalojnë Greqinë nga ajo rrugë, nëse rezulton se s’ka alternativë tjetër. Por ajo që mund të bëjnë këto qeveri është të mbrojnë depozituesit në vendet e tyre në ato banka që janë pronë e grekëve, pikërisht duke u sigurar që ka në funksionim mekanizma mbrojtës, që paratë të mos mund të rrjedhin dhe të transferohen jashtë vendit. Ky është një element shumë i rëndësishëm. E dyta, natyrisht është të ofrojnë një lloj garancie depozitash, ose të përmirësojnë politikat garantuese të depozitave për depozituesit, që të sigurojnë që ata të ndihen të sigurt dhe në fakt edhe mund, në një farë mënyre të rrisin financimet nga bankat e tjera dhe vende të tjera që i kanë bankat më të shëndetshme. Por ka mënyra për të lehtësuar daljen e krizës greke jashtë kontrollit.

Top Channel
: Dhe së fundmi, a mendoni se ekonomia shqiptare edhe pse zyrartisht nuk është në krizë, a mendoni se mund të ketë ndikime dhe pasoja në Shqipëri nga ajo që po ndodh në Greqi, nisur nga lidhjet si dhe ndërvarësia me Greqinë e tërë vendeve në rajon?

Gabriel Partosh: Ju keni absolutisht të drejtë. Impakti në Shqipëri do të jetë shumë serioz dhe ndërkohë ekonomia shqiptare ka filluar të dobësohet pjesërisht edhe për shkak të recesionit të dyfishtë që pritet në Eurozonë dhe pjesërisht cka është më e rëndësishme dhe për shkak të situatës shumë serioze dhe shkatërrimtare ekonomike në Greqi, ku në katër vitet e fundit GDP ka rënë me 20 përqind. Kjo do të thotë se kemi një treg shumë më të vogël tashmë në Greqi për prodhimet shqiptare, ndërkohë po ashtu ekziston rreziku akoma më i madh që nëse Greqia del nga Euro, sic thamë më sipër Dhrahmia, do të cvlerësohej, do të jetë më e vështirë për një Lek më të fortë  të eksportojë në Greqi, i cili ka qenë tregu i dytë më i madh eksportues për prodhimet shqiptare. Mendoj se pasojat do të jenë shumë serioze. Por edhe sikur Greqia të mos largohet nga Euro, aktualisht po shihen probleme nga dobësimi i ekonomisë dhe mungesa e fuqisë blerëse të Greqisë dhe mundësive më të pakta për punësim për emigrantët, ndërkohë që ekonomia greke vazhdon të tkurret. Kam frikë se perspektiva afatshkurtër është shumë e zymtë për të gjitha vendet e rajonit, përfshi edhe Shqipërinë, që kanë marrëdhënie shumë të ngushta ekonomike dhe financiare me Greqinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA