MENTOR KIKA – Të premten, një nga themeluesit e Universitetit Europian
të Tiranës, Henri Çili, i drejtohej me një apel publik një grupi
gazetarësh dhe opinionistësh të shquar, duke shprehur habinë që ata kanë
heshtur deri tani për të shkruar në lidhje me debatin publik që është
hapur për universitetet private dhe për të shprehur opinionin e tyre
pozitiv për UET-në.
I nderuar z.Çili! Edhe pse emri im nuk ishte në listën e kolegëve gazetarë, të cilëve u drejtoheshe publikisht për të thënë fjalë të mira për universitetin ku ju jeni bashkëthemelues, po ju shkruaj unë i pari (ndoshta). Kjo me tagrin e një gazetari që ka shkruar më shumë (ndoshta) për të denoncuar deformimet që i janë bërë sistemit arsimor nga Ministria jonë e Arsimit dhe disa shkolla të larta, të vetëquajtura universitete.
Që në fillim, dua të sqaroj se jam tërësisht kundër dënimeve, ndëshkimeve dhe paragjykimeve kolektive. Për këtë arsye, edhe universiteti ku ju punoni e drejtoni, nuk ka pse të jetë i penalizuar për shkak të paudhësive që kanë bërë disa syresh në sipërmarrjen private në këtë fushë. Gjithsesi, unë mbeta i zhgënjyer, pasi në letrën tuaj publike adresuar një grupi gazetarësh, ju nuk bënit ftesë për t’u angazhuar realisht në një debat publik mbi problemet e arsimit të lartë, por i ftonit të shkruanin fjalë të mira për Universitetin Europian të Tiranës, sepse këta na paskan në këtë shkollë vëllezërit, motrat, djemtë apo të afërmit dhe për këtë arsye ia njohin seriozitetin asaj. Do të ishte shumë gabim nëse ata do ta bënin këtë, për këtë arsye.
Polemikat që hapi media italiane(edhe pse ne jemi vetëm pak kilometra larg vendit të “krimit”) duke publikuar rastin Bossi, janë megjithatë një shans i mirë që mësimdhënës, media dhe kushdo tjetër, të bëhen pjesë e një debati mbi formalitetin, formalizmin dhe informalitetin e shkollimit në shkollat tona të larta, publike dhe jo publike. Pasi ne të gjithë e dimë morinë e problemeve në sistemin universitar jopublik, ku marrja e një licence për universitet privat është po kaq e zakonshme sa edhe marrja e licencës për një kompani ndërtimi, apo biznes tjetër çfarëdo.
Është padyshim i justifikuar meraku juaj në rolin e biznesmenit dhe njeriut të angazhuar e publik, por mendoj se duhet të kalojmë përtej këtij fokusi dhe të merakosemi për lëgimin e tërë sistemit dhe, para se t’i ftoni kolegët tuaj të shpëtoni UET-në nga paragjykimet kolektive, le t’i ftojmë ekspertët dhe të gjithë të tjerët të bëhen pjesë e një debati pikërisht për sëmundjet që kanë prekur tërë sistemin. Pasi kështu do të jetë mirë edhe për juve.
Duke pastruar lëndinën nga ferrat, do të dalë në dritë bari dhe lulet dhe jo duke thënë se mes ferrave ka edhe manushaqe. Unë personalisht nuk kam asnjë dyshim që universiteti ku ju drejtoni, bën pjesë në grupin e shkollave të larta më serioze në vend, publike dhe jopublike. Unë e di që në shkollën tuaj nuk mund ta marrësh diplomën brenda një viti, duke paguar paratë. Por kjo nuk mjafton që unë apo kolegë të tjerë të jemi të qetë, kur në sojin tuaj ka syresh që e bëjnë këtë. Dhe ky është një krim, një vepër penale, me pasoja shumë herë më të rënda se çdo vepër tjetër penale që përfshin mashtrimin apo falsifikimin. Ndaj dhe kolegët e tu dhe të mitë, nuk do të bënin mirë nëse do të shkruanin thjesht se UET është mirë, me të tjerët të bëhet ç’të duhet.
Z.Çili, ju duhet ta dini më mirë se kushdo tjetër se cilët janë problemet reale me arsimin e lartë jopublik në Shqipëri. Duke qëndruar nga jashtë këtyre ngrehinave dhe interesave private, dhe duke u mëshuar vetëm interesave publike, unë do të rendis përciptazi disa perceptime:
1- Kriteret e licencimit të universiteteve. Ju duhet ta dini se Shqipëria është një rekord botëror për numrin e universiteteve private për frymë të popullsisë. Sa universitete private ka në Itali, sa ka në Serbi, po në Greqi? Në dijeninë time, jo më shumë se 3-4. Ndërsa në Shqipëri numërohen plot 46 shkolla të larta private, të hapura brenda një dekade, nga të cilët vetëm brenda vitit 2010 u firmosën 12 licencime të reja. Sot në Tiranë mund të gjesh universitete në çdo lagje, me emra nga më të çuditshmit(duket ka edhe krizë emrash). Siç mund të gjesh filiale edhe në qytete ku me zor furnizohet me nxënës edhe një shkollë e mesme. Nëse Ministria e Arsimit do të verifikojë dosjet e profesoratit(ka kusht për numrin e profesorëve që duhet të ketë një universitet kur hapet si i tillë), do të shikojë se të njëjtët emra mund të gjenden në 5-6 syresh, me dhe pa dijeninë e tyre.
2-Procedura e thithjes së studentëve. Me gjithë nivelin mjeran të mësimdhënies në pjesën më të madhe të universiteteve publike, të paktën pranimi në to bëhet mbi bazën e konkursit. Ndërsa tek universitetet jopublike studentët nuk pranohen me konkurs. Pra, mjafton të dalësh nga shtëpia, të marrësh dëftesën e shkollës së mesme në dorë(pavarësisht notave dhe mesatares), paratë në xhep dhe regjistrohesh. Madje regjistrimet tek universitetet jopublike pothuajse fillojnë kur kanë mbaruar te publiku, pra pasi janë furnizuar universitetet shtetërore.
3-Shkelja e ligjit. Në dy pikat e para rendita probleme që nuk përbëjnë shkelje ligji, por këtu futemi në një tjetër zonë. Në shumë universitete private mund të futesh në shkollë edhe në mes të vitit mësimor. Në shumë media reklamat “Regjistrimet vazhdojnë”, vijojnë të transmetohen edhe disa muaj pasi është çelur sezoni mësimor. Nëse, si shkollat publike ashtu edhe ato private funksionojnë mbi bazën e të njëjtit ligj, do të thotë se procesi mësimor fillon në 15 shtator për të gjithë. Një gazetar italian që erdhi për të investiguar mbi rastin “Kristal” (që më pas ta merrnin mediat shqiptare investigimin e tij) erdhi që erdhi i futi edhe një të regjistruar në shkollë, pikërisht në mes të muajit maj, pra pak javë para sezonit të provimeve.
4-Mashtrimi me emërtimin. Përjashtuar 3-4 institucione që mund ta përdorin statusin Universitet, të tjerat janë vetëm Institucion i Lartë Arsimor. Por në diplomat që ata shpërndajnë, i titullojnë si diploma universiteti. A është edhe ky një falsifikim apo mashtrim?
Informacionet dhe dëshmitë që janë publikuar lidhur me manipulimet e supozuara në universitetin “Kristal” janë një alarm shumë i madh për të gjithë: Ministrinë e Arsimit, sipërmarrës të arsimit privat, gazetarë dhe qytetarë të përgjegjshëm të Shqipërisë. Dyshimet janë për shndërrimin e disa shkollave të larta në punishte diplomash. Pra kundrejt pagesës, mund të regjistrohesh dhe mund të blesh një diplomë. Ashtu siç tashmë publikisht e dimë të gjithë që e kanë marrë diplomën dy shtetas italianë. Ky është një sinjal për të vënë kujën mbi gjendjen ku ka përfunduar arsimi ynë i lartë. Prej disa ditësh diplomat e këtij universiteti printohen zyrave kudo në Shqipëri e Itali dhe tunden studiove të emisioneve në TV-të italiane, duke u bërë gazi i botës. Përtej çështjes së imazhit, ajo që duhet të na alarmojë më shumë është fakti se me këto lloj diplomash mund të jenë pajisur njerëz që sot punojnë në administratë. Dhe si “Kristal” mund të ketë edhe të tjerë. Dhe, çështja këtu nuk është si të shpëtojmë nga paragjykimet kolektive EUT, UMB, NYUT, “Marudi”, “Polis”, “Luarasi” etj. Çështja është si të shpëtojmë shkollën dhe të ardhmen e shoqërisë sonë. Kjo, pasi, edhe vjedhja më e madhe financiare mund të rikuperohet brenda pak kohe, por mbushja e shoqërisë me të diplomuar të rremë, është një dëm me pasoja afatgjata dhe shumë të mëdha, në një vend ku nuk ka treg selektiv pune dhe ku punësimi në administratë nuk varet nga aftësitë, por nga përqindja e ndarjes së pushtetit sipas partive të koalicionit qeverisës.
Dhe rruga më e mirë është që sistemi të pastrohet. Dhe sistemi i zotit Çili nuk pastrohet duke theksuar se kush janë të mirët, por duke mbyllur mekanizmat mashtrues dhe duke forcuar konkurrencën. Dhe ju duhet të jeni vetë të parët të interesuar për këtë pikë. Që sistemi të shërohet ju duhet t’u nënshtroheni të njëjtave rregulla, që do të thotë të mos pranoni studentë edhe në shkurt apo në maj, kur shkolla hapet në shtator. Që sistemi të shërohet do të thotë që të krihet i tërë mekanizmi mësimdhënës, në mënyrë që pedagogët të mos i lënë studentët nëpër sallat e universiteteve shtetërore, ku figurojnë të punësuar, dhe të shkojnë të japin mësim në 3-4 shkolla private njëherësh, meqë ju i paguani më mirë, duke dëmtuar rëndë universitetin publik. Që sistemi të shërohet do të thotë që të kontrollohen të tëra dosjet e shkollave të larta, për të parë se sa profesorë kanë firmosur në disa akte themeluese të disa shkollave dhe a e dinë ata në fund të fundit që kanë firmosur apo jo? Dhe, kush shkel rregullat e kush ka manipuluar, të dorëzojë licencën. Që të shërohet sistemi, duhet të bëhet rankimi, që të gjithë të dimë se kush diplomon studentë e kush shet diploma. Por këtë nuk mund ta bëjë këshilltari i Kryeministrit dhe besoj që biem dakord të gjithë për këtë.
Atëherë tregu do të pastrohet dhe më të mirët do të bëhen edhe më të mirë. Një vend me më pak se 3 milionë frymë rezidentë, ka në treg sot plot 59 universitete publike dhe jopublike. Kjo është çmenduri. Për këtë duhet të shqetësohemi të gjithë z.Çili dhe për këtë duhet të shkruajmë të gjithë, duke i kërkuar qeverisë, së pari të fusë në xhep stilolapsin e licencimeve dhe, së dyti, të kthejë kokën pas për të parë se çka katranosur me reformën agrare në arsim.
Top Channel