Kompania e britanike e prodhimit të kartmonedhave, “De La Rue” ka hartuar një plan emergjence për shtypjen e dhrahmive në rast se Greqia largohet nga Eurozona.

Lajmin e publikon agjensia e lajmeve Reuters, që i referohet një burimi anonim nga ana e kompanisë, e cila është prodhuesja më e madhe në botë e kartëmonedhave, pasi ka printuar mbi 150 monedha kombëtare.

Sipas të njëjtit burim është llogjike që një printer kolosal parash të jetë në gadishmëri dhe të përgatitet në përputhje me rrethanat.

Më herët komisioneri europian i tregëtisë, Karel De Gucht deklaroi se Komisionin Europian dhe Banka Qëndrore Evropiane janë duke punuar për një skenar emergjent në rast se Greqia lë hapësirën e monedhës së përbashkët, deklaratë që përgenjeshtroi disa orë më vonë komisioneri i Ekonomisë, Olli Rehn duke theksuar se as Greqia nuk do lërë euron dhe as marrëveshja e ndihmës  nuk do të rinegociohet.

Në të njëjtin kontekts kanë qënë edhe deklarat e Presidentit të Parlamentit Europian, Martin Shulc i cili ka vizituar Athinën dhe udhëheqësit e lartë të vendit.
                           
“Nuk mund të krahasohet situata në Greqi me Republikën e Vajmarit. Falë Zotit, kjo nuk është kaq dramatike. Nëse ne mund të shmangim implikimet e duhura, në qoftë se themi se do të shkurtojmë shpenzimet, por do të investojmë në të njëjtën kohë, them se mund të shmanget katastrofa. Athina nuk është aspak Republika e Vajmarit në Berlin”, tha Shulc.

Megjithëse grekët kanë votuar në zgjedhjet e 6 Majit për partitë që shprehen kundër marrëveshjes së kredisë dhe reformave, shumica e tyre kërkon të qëndrojë vendi në zonën e euros.

Ditët e fundit u fol për një tërheqje të madhe depozitash nga frika e ndryshimit të monedhës, por orët e fundit sipas bankave greke të cilat kanë marrë një likuiditet prej 18 miliard eurosh nga BQE, cdo gjë është normalizuar.
 
“Për mua, politikanët tanë duhet të ulen dhe të bien dakord me njëri-tjetrin sepse po e vrasin vendin, kjo është e dukshme. Nëse ata nuk e bëjnë këtë vendi ynë do të jetë i humbur”, thotë Gjeorgjia një qytetare greke.
 
Zgjedhjet e  reja të 17 qershorit shumëkush i quan se do të jenë një referendum nëse grekët duan euron apo dhrahminë.

Sondazhet i japin shumicën radikalëve të majtë të cilët e kanë përgënjeshtruar se duan një rikthim tek dhrahmia, por nga ana tjetër kërkojnë rinegocim të marrëveshjes, fakt që nuk pranon as Brukseli dhe as Berlini.

 

Top Channel