Meksikë, gjendet i vrarë gazetari i zhdukur

19/05/2012 15:00

Trupi i një reporteri të kronikës së zezë, i rrëmbyer të enjten në shtetin e Sonorës, në veri-perëndim të Meksikës, është gjetur nga autoritetet i vrarë në një qese plastike.

Trupi i Marco Antonio Avila Garcia, që mbante shenja torture dhe një mesazh të lidhur me trafikun e drogës, u zbulua në jug të komunës së Gujamas, ka bërë të ditur një agjenci shtetërore.

Gazetari 39-vjeçar mbulonte çështje që kishin të bënin me sigurinë publike për të përditshmen “El Regional” të shtetit të Sonorës. Tre persona të armatosur dhe të maskuar e rrëmbyen atë teksa priste makinën në një lavazh, ka saktësuar një zëdhënës.

Komiteti Kombëtar për të Drejtat e Njeriut dënoi vrasjen. Kryetari i komitetit, Raul Plascencia Villanueva bëri thirrje për një hetim zyrtar dhe që përgjegjësit të ndëshkohen, për të dhënë mesazhin se, nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që vrasin gazetarët.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve deklaroi ndërkohë se ka shkuar në 45 numri i gazetarëve që janë vrarë ose zhdukur në Meksikë që nga viti 2006.

Më herët gjatë muajit, në shtetin lindor të Verakruzit, u gjetën trupat e copëtuar të tre reporterëve dhe të dashurës së njërit prej tyre, të futur në qese plastike.

Në raportin vjetor për lirinë e shtypit dhe liritë civile, organizata “Freedom House” e vlerësonte Meksikën si një vend jo të lirë për të praktikuar gazetarinë.

Ndërsa ndër ngjarjet më të rënda të ndodhura së fundmi në vendin latin si pasojë e luftës së drogës ishte masakra e 49 personave në Monterrei, në kufi me Teksasin, si dhe ajo e 23 personave të tjerë në qytetin Nuevo Laredo.

Top Channel