Disidenti, SHBA përshëndet vendimin e Kinës

19/05/2012 21:45

Shtepia e Bardhë ka mirëpritur vendimin e autoriteteve kineze për të lejuar udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara të aktivistit të verbër kinez, Chen Guancheng.

Ai kërkoi të lërë vendin e tij dhe të shkojë në Shtetet e Bashkuara, ku i ishtë ofruar një mundësi studimi në Universitetin e Nju Jorkut.

“Ky është një zhvillim që e përshëndesim”, deklaroi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Aktivisti kinez Chen Guangcheng, që ka qenë në qendër të një krize diplomatike mes SHBA dhe Kinës, është nisur nga aeroporti i Pekinit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zoti Chen kaloi së fundmi gjashtë ditë në selinë e ambasadës amerikane në Pekin, pasi u arratis nga arresti i shtëpisë në veri-lindje të Kinës.

Zoti Chen u dërgua në spital pasi doli nga selia e ambasadës amerikane më 2 maj dhe fillimisht tha se donte të qëndronte në Kinë, por më pas ndryshoi qendrim me argumentin se druhej për sigurinë e tij.

Atij iu ofrua një mundësi studimi për drejtësi në Universitetin e Nju Jorkut, pasi Pekini zyrtar deklaroi se ai mund të aplikonte për studime jashtë vendit.

Ndërkohë, grupi amerikan i aktivistëve China Aid, që ka mbështetur disidentin, njoftoi se ishte informuar nga ky i fundit se bashkë me familjen e tij udhëtuan drejt Nju Jorkut.

Top Channel