Raund i ri bisedimesh mes Izraelit dhe Libanit, zbulohet se kur do të mbahet takimi dypalësh në Uashington Aktivisti kinez Chen Guangcheng, që ka qenë në qendër të një krize diplomatike mes SHBA dhe Kinës, është nisur nga aeroporti i Pekinit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“New York Times” dhe agjencia “Associated Press” raportojnë se Chen, bashkë me familjen e tij kanë hipur tashmë në një avion të drejtuar për në Njuark.
Zoti Chen kaloi së fundmi gjashtë ditë në selinë e ambasadës amerikane në Pekin, pasi u arratis nga arresti i shtëpisë në veri-lindje të Kinës.
Ai kërkon të lërë vendin e tij dhe të shkojë në Shtetet e Bashkuara, ku i është ofruar një mundësi studimi në Universitetin e Nju Jorkut.
Zoti Chen u dërgua në spital pasi doli nga selia e ambasadës amerikane më 2 maj dhe fillimisht tha se donte të qëndronte në Kinë, por më pas ndryshoi qëndrim me argumentin se druhej për sigurinë e tij.
Atij iu ofrua një mundësi studimi për drejtësi në Universitetin e Nju Jorkut, pasi Pekini zyrtar deklaroi se ai mund të aplikonte për studime jashtë vendit.
Ndërkohë, grupi amerikan i aktivistëve China Aid, që ka mbështetur disidentin, njoftoi se ishte informuar nga ky i fundit se bashkë me familjen e tij po drejtohej për në aeroport.
“Zoti Chen dhe familja e tij u njoftuan që të bënin gati plaçkat dhe të bëheshin gati për të lënë Kinën për në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi China Aid. Edhe SHBA njoftuan se vizat për zotin Chen dhe familjen e tij ishin gati.
Top Channel