Nxënësit kosovarë që nga shtatori do të marrin në duar abetaren e përbashkët, e cila u prezantua të enjten në një ceremoni festive me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Shqipëria dhe Kosova.

Në Kosove ky tekst i përbashkët do të jetë i vetmi që do të përdoret nga nxënësit e klasave të para për të mësuar shkrim e këndim.  Mes bashkautorëve të abetares Saranda Kumnova nga Kosova dhe Mimoza Gjokutaj e Shezai Rrokaj nga Shqipëria,  është edhe profesor Islam Krasniqi. Ai shpjegon se  njëri ndër elementët që e bënë të dallueshme abetaren e unifikuar, me atë të mëparshme, është se tashmë synohet më shumë nxitja e mendimit kritik tek nxënësi.
 
“Do të shohin mësuesit se për dallim nga abetaret e mëparshme këtu ka shumë prej këtyre teknikave e strategjive të cilat udhëzojnë nxënësin për të menduar në mënyrë kritike, për të gjykuar, për të arsyetuar, për të ardhur vetë me forcat e veta (natyrisht me ndihmën e mësuesit) deri tek gjetja e fjalëve, e teksteve, formimi i fjalive të caktuara”, tha Dr. Islam Krasniqi, Bashkëautor i abetares së unifikuar.

Krahas mësimit të shkronjave, nxënësit do të mund të mësojnë edhe porosi nga heroi kombëtar, Skënderbeu, apo edhe tekste tjera që ndikojnë në edukimin e fëmijëve.  

 “Në këto tekste, ose në abetare, jemi përpjekur që të prezantojmë tekste me sentenca, ose me vlera më të çmueshme educative që flasin ose ndikojnë në edukimin e fëmijëve. Dhe, porosia e kësaj është “rrini të bashkuar që të mos i’u thyejë armiku”, theksoi Dr. Islam Krasniqi, Bashkëautor i abetares së unifikuar.

Sipas profesor Krasniqit, abetarja e unifikuar është me përmbajtje më të ndërlikuar, dhe kjo është bërë pasi fëmijët që tani shkojnë në klasë janë më të përgatitur se të mëparshmit.

Në mënyrë simbolike, abetarja e përbashkët Kosovë – Shqipëri, u promovua të enjten në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nga drejtues  të shtetit të Shqipërisë dhe të Kosovës.
 

Top Channel