Kapet me pistoletë në brez 19-vjeçarja nga Vau i Dejës

18/05/2012 00:00

Kapet me armë në brez teksa udhëtonte me një mikun e saj. Një vajzë
19-vjeçare, nga Vau i Dejës, është vënë në pranga nga Policia e Fierit,
teksa po udhëtonte në autoveturën e një mikut të saj, 25-vjeçarit Bushi
Hatillari, 25 vjeç, banor i qytetit të Roskovecit.

Një kontroll rutinë i patrullës së përgjithshme të policisë ka zbuluar se dy të rinjtë mbanin me vete armë zjarri. Nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit u bë me dije se pasditen e së mërkurës janë arrestuar në flagrancë Vanesa Rizai, 19 vjeçe, lindur në Shkodër e banuese në Vaun e Dejës dhe Bushi Hatillari, 25 vjeç, banues në qytetin e Roskovecit të Rrethit të Fierit.

Sipas policisë ndalimi i tyre është kryer për veprën penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Mësohet se gjatë kontrollit të patrullës së përgjithshme të kryer në lagjen Sheq i Vogël, Fier, mjetit tip “Dacia”, me targa AA 406 DI, me të cilën udhëtonin dy të rinjtë, këta të fundit kanë shfaqur nervozizëm.

Burimet shtojnë se dy të rinjtë e kanë tradhtuar veten dhe punonjësit e policisë kanë ushtruar kontroll personal për secilin. Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj 19-vjeçares Vanesa Rizai, është gjetur në brez një pistoletë tip “Zastava” me një krehër pa fishekë.

Për shkak se dy të rinjtë nuk kanë qenë bashkëpunues për të deklaruar se ku e kishin siguruar armën dhe qëllimin për të cilin u nevojitej, policia ka nisur procedimin penal edhe për 25-vjeçarin Hatillari. Dyshohet se pistoleta ka qenë e tij dhe ia ka dhënë për ta mbajtur mikeshës. Ndërkaq, policia po heton për të zbuluar motivin pse dy të rinjtë mbanin armë zjarri me vete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB