Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç ka deklaruar se ideja për Shqipërinë e Madhe vazhdon të jetë e gjallë në radhët e kombit shqiptar.

Ivanoviç është shprehur se promovimi i abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë është prova e gjallë se kjo ëndërr nuk është shuar ende.

“Kjo ide, që të paktën në fasadë është e papranueshme për Evropën dhe botën, është edhe një pretendim serioz për territorin e Serbisë. Prandaj, ajo duhet të hasë në një reagim të fortë jo vetëm të Beogradit”, ka deklaruar Ivanoviç.

I cituar nga “REL”, zyrtari serb është shprehur se, Beogradi nuk është kundër bashkëpunimit kulturor të shqiptarëve, por promovimi i abetares sipas tij është një tregues i pastër se, “fryma për Shqipërinë e Madhe nuk është shuar”.


Promovimi i abetares së përbashkët
të Shqipërisë dhe Kosovës u bë të enjten në Prizren, në praninë e zyrtarëve më të lartë të dy vendeve.

Kryeministri shqiptar Sali Berisha e cilësoi abetaren e përbashkët si një kryevepër të dijes që i dhurohet kombit shqiptar.

Ndërsa kryeministri Thaçi e konsideroi atë si një ditë historike për kombin shqiptar, si dhe një shprehje të ndergjegjes dhe emancipimit.

Maqedonia nuk është përfshirë në këtë projekt mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe kjo sipas Partisë Demokratike Shqiptare ndodh për faj të Ministrisë së Arsimit në Shkup.

Top Channel