Kancelarja gjermane Angela Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin grek, pas zërave në rritje se vendi i tij mund të braktisë eurozonën.

Burime zyrtare greke kanë deklaruar se Merkel i ka sugjeruar Greqisë që të mbajë një referendum për qëndrimin në euro, muajin e ardhshëm kur do të zhvillohen dhe zgjedhjet e reja.

Megjithatë, burime analoge gjermane kanë mohuar që kancelarja, e akuzuar shpesh herë nga radikalët grekë, të ketë bërë një propozim të tillë.

Lajmet për kontaktet gjermano-greke u publikuan teksa në Shtetet e Bashkuara presidentët Barack Obama dhe Francois Hollande u takuan dhe diskutuan për ekonominë.

“Në një bisedë telefonike me presidentin Karolos Papoulias, zonja Merkel parashtroi mendimin për një votim paralel me zgjedhjet, në mënyrë që qytetarët grekë të shprehen nëse dëshirojnë të qëndrojnë në eurozonë”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit të përkohshëm të Greqisë.

“Megjithatë, është e qartë se kjo është një çështje që shkon përtej kompetencave të qeverisë në detyrë”, thuhet më tej në deklaratën për shtyp të Athinës zyrtare.

Por një zëdhënës në Berlin ka deklaruar: “Informacioni i raportuar se kancelarja i ka sugjeruar një referendum presidentit grek Karolos Papoulias është i gabuar”.

Kriza financiare që ka përfshirë vendet e eurozonës pritet të jetë në qendër të bisedimeve të samitit të vendeve të G8-ës, që do të mbahet këtë fundjavë në Kemp Dejvid të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel