Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti misionet e huaja në Kosovë duhet të reagojnë lidhur me sulmin ndaj stacionit të policisë në Dobrosin.

Pasi e ka vizituar gjatë ditës së premte stacionin në fjalë, Daçiç ka thënë se synimi i atentatorëve, sipas tij “terroristë shqiptarë”, ka qenë likuidimi i agjentëve të policisë.

“Ky është një shembull i pastër i shkeljes së të gjitha marrëveshjeve me komunitetin ndërkombëtar”, ka deklaruar kryeministri i ardhshëm i Serbisë, raporton “REL”.

“Pres që misionet e huaja në Kosovë të reagojnë dhe personalisht kam insistuar që së bashku të gjejmë gjurmët që do të na çonin tek autorët e ngjarjes”, ka vijuar ai.


Sulmi ndaj stacionit policor në Dobrosin
, pranë Bujanocit, ka ndodhur sipas autoriteteve serbe ditën e enjte, në orët e para të mëngjesit.

Po të enjten, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani deklaroi se policia nuk kishte informacione për një sulm me të tillë.

Zëdhënësi shtoi se Policia e Kosovës nuk preferon t’i komentojë deklaratat e zyrtarëve serbë për sulme nga “grupe të armatosura shqiptare” nga Kosova.

Top Channel