Pamundësi për ta vazhduar për skadim të afateve dhe rënie në parashkrim të të gjitha shkeljeve.
Është ky rezultati i vetëm që doli nga Gjykata e Barit mbi shpërdorimet
dhe vjedhjet në kuadrin e misionit “Arcobaleno” në Kosovë, misioni i
organizuar nga qeveria italiane në vitin 1999, në ndihmë të popullatës
kosovare të goditur nga lufta.

Pas 12 vjetësh mbyllet kështu pa asnjë fajtor një prej rasteve më flagrantë dhe më të përfolur të shpërdorimit, me të akuzuar të rangjeve të larta si Franco Barbieri, në atë kohë nënsekretar i Kryeministrisë, me mandat edhe për Mbrojtjen Civile, organizëm që duhet të mbidhte ndihmat dhe të organizonte shpërndarjen e tyre.

Gjithësej akuzat preknin 17 persona, zyrtarë të shtetit dhe sipërmarrës, dhe ishin të rënda: shkelje, abuzim me fonde dhe falsifikime në administrimin e ndihmave.

Pala akuzuese në gjyq ishte Kryeministria dhe Ministria italiane e Punëve të Brendshme. Proçesi gjyqësor pësoi vonesa të mëdha, ndoshta me synimin pikërisht të skadimit të afateve.

Mjafton të mendosh që seanca e parë u shty shtatë herë në dy vjet dhe u zhvillua vitin e kaluar, 11 vjet pas skandalit për të cilin duhej të dëgjoheshin 100 dëshmitarë.

Top Channel