SHBA, marinsat vidhnin dhe shisnin armë

17/05/2012 00:00

Marinsa amerikanë të bazës Camp Lejeune kanë vjedhur të paktën 2 milionë
dollarë në armë dhe pajisje të tjera ushtarake, për t’ua shitur ato
bandave kriminale dhe Kinës e Rusisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat amerikane, të cilat kanë cituar oficerë të lartë të marinës të kenë thënë se mes objekteve të vjedhura e më pas të shitura janë armë automatike, mjete për vëzhgim gjatë natës dhe bomba verbuese.

Në këtë aferë janë përfshirë mbi 60 persona, 47 anëtarë të marinës dhe 21 civilë, ndaj disa prej të cilëve janë ngritur akuza, ndërsa shumë të tjerë janë tashmë shpallur fajtorë.

Autoritetet kanë deklaruar se çështja nuk është mbyllur ende dhe se hetimet po vazhdojnë. “Megjithatë, nuk mund të japim shumë detaje”, kanë deklaruar ato.

Të akuzuarit vodhën ose siguruan në mënyra të tjera armët dhe pajisjet pasi kishin akses tek ato dhe ua shitën rrjeteve kriminale që veprojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Po flasim për pajisje të sofistikuara, si bomba verbuese që kushtojnë deri në 800 dollarë për njësi. Tundimi dhe lehtësia për t’i marrë ato dhe për t’i shitur më pas ka qenë e parezistueshme për disa”, ka deklaruar një zyrtar.

Autoritetet arritën të zbulonin aferën brenda forcave të armatosura përmes një hetimi që nisi më shumë se një vit më parë.

Në atë kohë, agjentë të Shërbimit Hetimor të Krimeve të Marinës, NCIS, u infiltruan për të reduktuar vjedhjen, transportin dhe më pas shitjen e objekteve që ishin pronë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Top Channel