BESNIK PULA – Të hënën që shkoi, gjatë një vizite në një shkollë të
mesme në Berlin, Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se “Greqia
do të jetë gjithmonë anëtare e BE-së”.
Pyetja në fakt ishte nëse Greqia do të vazhdojë të mbetët pjesë e unionit monetar europian, me euron si monedhë të përbashkët. Përgjigjja e znj. Merkel lë të nënkuptuar se çfarë mendon ajo për perspektivën e Greqisë si anëtare të eurozonës.
Po atë ditë, në takimin e ministrave të Financave të vendeve të BE-së, diskutimet u përqendruan më shumë në kufizimin e dëmit që do të bëjë dalja e Greqisë nga eurozona, se sa përpjekjet për mbajtjen e këtij vendi brenda unionit monetar.
Zhvillimet politike në Europë kanë krijuar një moment kthese në kontinent. Mirëpo Europa është ende para udhëkryqit, dhe zhvillimet e ditëve dhe javëve që vijnë do të jenë përcaktuese për fatin e unionit monetar, por edhe BE-së në përgjithësi.
Më 6 maj, në Francë ndodhi fitorja e pritshme e socialistit Francois Hollande në garën presidenciale, duke privuar nga mandati i dytë (për herë të dytë në historinë e Republikës së Pestë të Francës) Nicholas Sarkozy-në nga radhët e konservatorëve. Në Greqi, ndërkaq, uragani politik i zgjedhjeve të 6 majit i dha fund dominancës disa dekadëshe të dy partive të mëdha, Demokracia e Re dhe PASOK, duke sjellë në radhë të dytë me numër votash grupin e majtë Syriza.
I ashtuquajtur pakt fiskal i Europës, si dhe marrëveshja e veçantë për borxhin grek e arritur në fillim të këtij viti në mes të fuqive të qendrës dhe qeverisë Papademos në Athinë, po sfidohet si në qendër nga fitorja e Hollande në Francë, ashtu dhe në periferi nga fuqia elektorale e Syriza-s dhe grupeve të tjera që janë kundër masave të thella shkurtuese që i imponohen shtetit grek në kthim për infuzionin e vazhduar të parave nga Banka Qendrore Europiane (BQE), Mjeti Europian për Stabilitet Financiar (EFSF) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Problemi është se pa këtë infuzion parash Greqia do të kolapsojë financiarisht. Sipas një memorandumi të qeverisë greke, pa të hyrat nga BE-ja dhe FMN-ja, deri në korrik thesari grek do të jetë bosh.
Këtu qëndron i tërë problemi. Merkel, ashtu si ministri i saj i Financave Wolfgang Schaeuble, dhe shefi i Bundesbankës Jens Weidmann, vazhdojnë të ngulin këmbë se respektimi i marrëveshjes, që i kërkon Greqisë të shkurtojë buxhetin e saj për 325 miliardë euro gjatë tri viteve të ardhshme, është absolutisht i nevojshëm që Greqia të vazhdojë të marrë infuzionin e parave nga fondet europiane, të financuar kryesisht nga Gjermania dhe shtetet e tjera të qendrës.
Nga ana tjetër, implementimi i programit të shkurtimeve po tregohet shkatërrimtar për Greqinë. Që nga viti 2010, kur filloi implementimi i shkurtimeve, ekonomia greke është në tkurrje të thellë, e krahasueshme vetëm me depresionin kapitalist euro-amerikan të viteve 1930. Deri në vitin 2015, vlera e ekonomisë greke llogaritet të zvogëlohet deri në një të pestën e vlerës së saj më 2008-n. Përveç shkurtimeve drastike, Greqisë, ashtu si shteteve të tjera të periferisë si Spanja, Portugalia dhe Italia, po i kërkohen të ashtuquajtura “reforma strukturore”, që në thelb kanë të bëjnë me shkurtimin e të drejtave të punëtorëve (p.sh., zvogëlimin e pagave dhe lehtësimin e përjashtimeve nga puna), nën konceptin neoliberal të nxitjes së “konkurrueshmërisë”. Përveç kësaj, siç argumentojnë edhe komentatorët liberalë si p.sh. revista “The Economist”, shkurtimet buxhetore në periudhë krize ekonomike janë vetëvrasëse – sa më e tkurrur ekonomia, aq më i lartë niveli i borxheve. Shkurtimet përkeqësojnë mundësitë e shtetit grek për t’i servisuar borxhet e veta. Madje, edhe masat aktuale të shkurtimeve parashihen se deri më 2015-n do ta zvogëlojnë barrën e borxhit grek nga rreth 160% në “vetëm” 120% të Bruto Prodhimit të Vendit.
Qorrsokaku politik, në të cilin gjendet Europa sot, është rezultat i jogatishmërisë, sidomos në Gjermani dhe shtetet e tjera të qendrës, për reforma më të thella dhe më serioze në Europë. Zgjidhja për Greqinë dhe për vendet e tjera të periferisë nuk janë imponimet e masave drastike shkurtuese, që do t’i çojnë këto shtete në një katastrofë ekonomike dhe shoqërore, barra e së cilës do të paguhet në radhë të parë nga gjenerata e re (papunësia ndër të rinjtë nën moshën 25-vjeçare është deri në 50% në shtetet si Spanja dhe Greqia). Ndër zgjidhjet është edhe lançimi i eurobond-eve, apo bono të përbashkëta të unionit monetar të lëshuara nga BQE-ja, që është një nga propozimet e presidentit të porsazgjedhur francez Hollande. Merkel, ndërkaq, ka bërë të qartë kundërshtimin e saj ndaj një mase të tillë, për faktin e qartë se Gjermania do të duhej të mbarte barrën më të madhe të një mase të tillë, duke marrë përsipër detyrimet e borxheve greke.
Alternativa tjetër, më e rrezikshme, por siç po duket gjithnjë e më e mundshme, është përjashtimi i Greqisë nga eurozona. Znj. Merkel dhe ministrat europianë të Financave tashmë kanë thyer tabunë e këtij skenari, që deri para disa muajve përflitej vetëm në margjina (këtë javë, revista “Der Spiegel” në ballinën e saj, deklaroi që ka ardhur koha për largimin e Greqisë nga eurozona). Mirëpo, kostoja e përjashtimit të Greqisë do të jetë katastrofike, në radhë të parë për Greqinë, por pastaj edhe për pjesën tjetër të shteteve në rrezik, si Spanja dhe Italia.
Një analizë të thellë të pasojave ekonomike të përjashtimit të Greqisë nga eurozona e ka bërë Willem Buiter nga banka amerikane Citi. Sipas tij, përjashtimi i Greqisë nuk kërkon asgjë më shumë se sa ndërprerjen e ndihmave europiane, që do ta linte Greqinë në krizë likuiditeti, pa mundësi për të bërë pagesat e pensioneve dhe shpenzimeve të tjera (pasi që formalisht, sipas traktateve në fuqi, Greqia nuk mund të përjashtohet). Kjo esencialisht do ta detyronte Greqinë që të nxirrte monedhë të vetën, zhvleftësimi drastik i së cilës kundrejt euros (sipas Buiter, deri në 40%, e ndoshta edhe më shumë) do të shkaktonte një zinxhir falimentimesh në tërë ekonominë greke nga firmat që kanë kontrata me detyrime në euro. Përveç kësaj, zhvleftësimi i monedhës së re do të krijonte rrezikun e kolapseve bankare, nga vajtja masive e depozitorëve për t’i tërhequr depozitat e tyre. Hiperinflacioni mund të pasojë gjithashtu. Thellimi i depresionit ekonomik të Greqisë është i pashmangshëm.
Rreziku më i madh i përjashtimit të Greqisë nga eurozona është rritja e gjasave që paniku të kaplojë investitorët edhe në shtetet e tjera në rrezik. Kjo domethënë se kostot e borxheve do të rriteshin në shkallë të papërballueshme edhe për vendet si Spanja dhe Italia. Gjermania do të përballej me influks masiv të eurove nga investitorët që do të synojnë sigurinë e këtij vendi, por me rrezikun e mbivlerësimit të euros (dhe rrezikun e inflacionit edhe më të madh në një vend që përdor euron si Kosova), që do të dëmtojë eksportet gjermane dhe rrezikojë recesionin në atë vend. Nga ana tjetër, duket se marrëveshja e fillimvitit ka bërë mjaft që të mbrojë bankat gjermane dhe ato të tjera nga rreziku i kolapsit grek. Kjo, për faktin se kreditë private ndaj Greqisë tashmë janë vetëm 36 miliardë euro, pasi që pjesën tjetër të totalit të 511 miliardë eurove i ka marrë përsipër BQE-ja, FMN-ja, ESFS-ja dhe entitetet e tjera publike të BE-së.
Një faktor tjetër është se përjashtimi i Greqisë nga eurozona do të ketë efekt jashtëzakonisht negativ në të gjitha ekonomitë ballkanike, për shkak të peshës ekonomike që ky vend ka në gadishull. Shqipëria do të goditet jashtëzakonisht keq, jo vetëm nga fakti i remitancave që do të jenë në rënie e sipër (edhe nga fakti se monedha e re greke do të jetë e zhvlerësuar kundrejt euros dhe rrjedhimisht edhe ndaj lekut), por edhe nga fakti se kaosi bankar mund të kaplojë edhe katër nga bankat e mëdha greke që operojnë në Shqipëri, duke destabilizuar edhe më tej financat e brishta të shtetit shqiptar, i cili mund të gjendet para një situate emergjente financiare me mundësi shumë të vogla intervenimi.
Përveç dëmeve të pallogaritshme ekonomike, përjashtimi i Greqisë nga eurozona do t’i bëjë dëm afatgjatë euros, por edhe projektit europian. Kataklizma e përjashtimit grek (pasi që edhe Syriza, si shumica e grekëve, janë kundër daljes së Greqisë nga eurozona) do të jetë e barabartë me një episod lufte; do të duhen gjenerata të tëra që grekët të kthejnë besimin te Brukseli dhe Berlini si partnerë të besueshëm. Euroskepticizmi do të kaplojë edhe vendet e tjera, sidomos ato në periferinë e gjerë (si ato të Europës lindore dhe të Ballkanit), që mund të konstatojnë se BE-ja nuk përbën partneritetin dhe prosperitetin e sigurt që simbolizonte dikur. Tregjet financiare, ndërkaq, mund të humbasin besimin në euro, duke vënë në sprovë statusin e saj si valutë rezervë botërore, dhe duke e reduktuar euron në pak a shumë një monedhë regjionale me bazë gjermane.
Pasojat e daljes greke nga eurozona do të jenë katastrofike për të gjithë. Në dy palë zgjedhje regjionale, në Schleswig-Holstein dhe Nordrhein-Westfalen, CDU-ja e znj. Merkel humbi, me mundësinë që CDU-ja të ballafaqohet me humbje edhe në zgjedhjet nacionale më 2013-n, kundrejt forcave si SPD-ja, që është kundër vijës aktuale. Mirëpo nëse znj. Merkel nuk lëshon pe, edhe ndryshimi i kreut në Berlin do të jetë tepër vonë për Greqinë, dhe tepër vonë për Europën.
Top Channel