Rezultuan të pasakta dyshimet e Prokurorisë Speciale se Dogana e Kosovës lejoi importimin e duhanit në mënyrë të paligjshme në vitin 2008 duke iu shmangur akcizës.

Një trup gjykues i përbërë nga gjykatës ndërkombëtar dhe vendor mori vendim që drejtori i doganës, Naim Huruglica dhe udhëheqësi i drejtorisë ligjore të doganës, Lulzim Rafuna të shpallën të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tyre në qershor të 2011-të. Ata akuzoheshin se në vitin 2008 lejuan kompani të caktuara të importojnë sasi të mëdha duhani pak kohë para hyrjes në fuqi të ligjit, i cili parashikonte ngritjen e cmimit të akcizës nga 17 euro në 21 euro.

Bëhet fjalë për ligjin, i cili mori dekretin e presidentit në dhjetor të vitit 2008, ndërsa fuqizimi i tij ndodhi në janar të vitit 2009. Një sasi e madhe duhani ishte importuar në fund të 2008-ës në Kosovë me çmimin e vjetër te akcizës.

Dyshimet e prokurorisë bazoheshin pikërisht në këtë pikë, nëse zyrtarët doganorë kishin përfituar, duke lejuar importimin e duhanit me çmim më të ulët se sa që parashihet në ligjin i cili do të hynte në fuqi një muaj më vonë.  

Por, siç është sqaruar më vonë nga dogana, kompanitë në fjalë, në momentin kur është miratuar vendimi në qeveri, kishin kryer veç pagesat dhe nuk ka ekzistuar mundësia për të ndërprerë importin.

Top Channel