Irani eksporton armë në Siri

17/05/2012 00:00

Një raport konfidencial i OKB-së tregon se Irani po eksporton armë për
qeverinë siriane, duke shkelur embargon për shitjen e armëve.

Raporti citohet nga CNN një ditë pasi presidenti Bashar al Assad fajësoi mercenarë të mbështetur nga fuqitë e huaja për dhunën në vendin e tij.

“Raporti flet për tre ngarkesa iraniane të sekuestruara vitin e kaluar”, ka deklaruar një burim diplomatik në kushte anonimati për rrjetin amerikan.

Raporti është hartuar nga një panel ekspertësh dhe është paraqitur në komitetin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që monitoron sanksionet ndaj Iranit, ka bërë të ditur burimi.

Njoftimi për raportin vjen pasi Assad, në një intervistë të rrallë për “Russia 24”, tha se armët në duart e rebelëve sirianë vinin nga Libani dhe Turqia.

“Ne nuk mund të mbyllim kufijtë dhe të ndalojmë kontrabandën e armëve, por mund të reduktojmë fluksin e saj”, deklaroi presidenti sirian.

Assad bëri përgjegjëse për situatën të ashtuquajturën Pranëvera Arabe, gjatë të cilës revolucionet rrëzuan regjimet diktatoriale në Egjipt, Libi dhe Tunizi.

“Nëse marrim parasysh zhvillimet në Siri, por edhe ngjarjet në Libi e vende të tjera, për liderët e këtyre vendeve është e qartë se nuk bëhet fjalë për “pranverë”, por për kaos”, deklaroi Assad.

Lëvizjet e suksesshme të Pranëverës Arabe frymëzuan kryengritjet në Siri që nisën në mars të vitit 2011 për të kërkuar reforma politike, por që u kthyen shumë shpejt në një lëvizje të armatosur opozitare që po shtypet me dhunë nga ushtria e Assad.

Top Channel