Incidenti mes Koresë së Veriut dhe Kinës

17/05/2012 16:20

Një grup i paidentifikuar koreanoveriorësh kanë marrë peng 29 peshkatarë kinezë të ndodhur në tre peshkarexha pranë kufirit detar midis dy shteteve dhe kërkojnë një dëmshpërblim në mënyrë që të kthejnë shëndoshë shtetasit kinezë.

Sipas një të përditshme kineze, peshkatarët u pengmorren në datën 8 maj në ujrat e Detit të Verdhë, pasi u sulmuan nga një anije me persona të armatosur.

Pengmarrësit janë vendosur në kontakt me mediat kineze, duke parashtruar kërkesat e tyre për një dëmshpërblim prej rreth 200 mijë dollarësh.

Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi se është vendosur në kontakt me Korenë e Veriut dhe se shpreson që të zgjidhë shpejt këtë incident.

”I kërkojmë autoriteteve të Koresë së Veriut që të garantojnë të drejtat ligjore dhe integritetin fizik të shtetasve tanë”, deklaroi një zëdhënës qeveritar në Pekin.

Ai refuzoi që të komentonte spekulimet e mediave në lidhje me dëmshpërblimin e kërkuar.

Nuk është ende e qartë nëse pengmarrësit janë identifikuar nga autoritetet e vendit komunist, siç kanë dhënë informacion disa gazeta, duke iu referuar burimeve të pasigurta.

Peniani nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar rreth incidentit. Mësohet se peshkatarët ishin duke lundruar në ujrat kineze, në momentin e incidentit.

Ndonëse Kina është aleati i vetëm i madh i Koresë së Veriut, të dy shtetet janë konfrontuar në të shkuarën mbi sovranitetin ujor në Detin e Verdhë, i cili është veçanërisht i pasur për peshkim.

Top Channel