Hebrenjtë: Lituania po nderon Holokaustin

17/05/2012 16:40

Grupet e hebrenjve kanë sulmuar ashpër një vendim të Qeverisë Lituaneze, që ka vendosur të financojë kthimin e eshtrave në vend dhe varrosjen me një ceremoni zyrtare të ish-kryeministrit që drejtoi vendin baltik në vitin 1941.

Juozas Ambrazevicius Brazaitis mori detyrën pasi pushtimi nazist çliroi shtetin nga udhëheqja sovjetike.

Pas përfundimit të luftës, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ndërroi jetë në vitin 1974.

Sipas hebrenjve, Brazaitis ka qenë një bashkëpunëtor i nazistëve dhe përgjegjës për udhëheqjen e Holokaustit në vend.

Vendimi për të financiar rikthimin e eshtrave të tij dhe varrosja me nderime të plota në një funeral zyrtar që do të zgjasë për katër ditë me radhë shihet si një ofendim për kujtimin e qindra mijëra hebrenjeve lituanezë të mbytur në dhomat e gazit pasi iu dorëzuan autoriteteve gjermane.

”Institucionet zyrtare nuk duhet të mbështesin këtë ceremoni, e cila diskretiton Lituaninë në sytë e të gjithë botës”, deklaroi Simonas Alperavicius, lideri i Komunitetit Hebre Lituanez.

Në një përgjigje zyrtare, kryeministri Andrius Kubilius iu kundërpërgjigj reagimit të hebrenjve. “Të dënosh Lituaninë se nderon një burrë shteti, i cili gjithashtu u përndoq personalisht nga nazistët, duket një mendjelehtësi”, tha ai.

Ai kujtoi se një komision i ngritur nga amerikanët në vitin 1975 për të hetuar veprimatinë e Brazaitis nuk dha asnjë provë se ai ishte anti-semit apo mbështetës i aktivitetit të nazistëve.

Midis viteve 1941-44, 95% e komunitetit prej 200 mijë hebrenjsh në Lituani u vranë nga nazistët. Aktualisht, në shtetin me tre milionë banorë, jetojnë rreth pesë mijë hebrenj.

Top Channel