Dita kundër homofobisë

17/05/2012 20:05

Në ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, përveç deklaratave të panumërta nga të gjitha insitucionet europiane dhe krerët e tyre, mesazhi më i drejpërdrejtë kundër diskriminimit dhe homofobisë u shpërnda nëpërmjet një video-regjistrimi.

“Përshëndetje. Ne jemi anëtarë të Parlamentit Europian dhe udhëheqës europianë. Ne jemi lesbike, homoseksualë, biseksualë, transeksualë e heteroseksualë dhe sëbashku duam t’i dërgojmë një mesazh të rinjve në Europë. Jeta sot mund të përbëjë një sfidë nëse je homoseksual, biseksual apo transeksual, por ne punojmë shumë fort për ta përmirësuar atë. Këtu në Bruksel nuk ka kohë për të humbur, ne duhet të jemi vigjilentë e të punojmë shumë me qindra kolegë për t’i dhënë fund homofobisë dhe transfobisë”, ishte mesazhi i përcjellë në videon e realizuar nga anëtarët e PE-së.

Eurodeputetë të njohur, nga të gjitha vendet anëtare, por edhe komisionerë apo zv-presidentë të Komisionit Europian, si edhe Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, i janë bashkangjitur këtij mesazhi duke garantuar se po punojnë për ndërtimin e një shoqërie më të mirë për të gjithë.

“Unë jam Martin Schultz, Presidenti i Parlamentit Europian. Ne po punojmë që të bëhet më mirë. Unë jam Neeli Kroes. Unë jam Komisioneri Andris Piebalgs. Unë jam Cecilia Malmstrom, anëtare e Komisionit Europian. Unë quhem Laslo Andor. Ne po punojmë që të bëhet mirë. Ju siguroj se do të bëhet më mirë. Unë jam Viviane Reding, zëvendës-presidente e Komisionit Europian. Unë jam Herman Van Rompuy, President i Këshillit Europian. Detyra ime është të bëj që gjërat të jenë më mirë. Dhe po bëhet më mirë. Homofobia nuk ka vend në Europë”, përfundonte mesazhi i videoklipit.

Video-mesazhi është realizuar nga grupi ndërparlamentar i Lesbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve dhe Transeksualëve në Parlamentin Europian, i cili përbëhet nga 132 anëtarë dhe 6 presidentë, nga 754 eurodeputetë që numëron ky institucion.

Përgatiti
: Arta TOZAJ, Bruksel

Top Channel