Organizata të besimtarëve muslimane turq i kërkuan kryeministrit të vendit, Recep Taip Erdogan, rikthimin në një vend kulti fetar të ish-bazilikës së Shën Sofisë, e transformuar pas pushtimit osman të Konstandinopojës në xhami, e më pas në muze.
Kërkesa e besimtarëve i është adresuar Erdogan si një ndër udhëheqësit e Turqisë moderne, ndër më të afërtit me islamin, cka e ka bërë atë shpesh objekt të kritikave të opozitës dhe ushtrisë.
Ndërtesa muze e Shën Sofisë daton që nga periudha kur Perandoria e Bizantit udhëhiqej nga perandori Justinian. Në vitin 1453, pas pushtimit osman të Konstandinopojës ndërtesa ruajti funksionin e një ndërtese kulti, por këtë herë për besimtarët islamë.
Pas Luftës së Parë Botërore ishte molla e sherrit në vendosjen e paqes mes Greqisë dhe Turqisë. Në atë kohë, udhëheqësi dhe themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk vendosi që ndërtesa të shndërrohej në muze, nisur dhe nga vlerat historike që mbart.
Muzeu (Bazilika e Shën Sofisë) sot është një ndër zonat turistike më të vizituara në Turqi.
Top Channel