Spanja hedh poshtë bisedimet me “ETA”-n

16/05/2012 16:20

Qeveria spanjolle hodhi poshtë një kërkesë për bisedime nga ana e grupit separatist bask i “ETA”-s, kërkesë e ardhur shtatë muaj pas shpalljes së armëpushimit të përgjithshëm.

Kërkesës për bisedime, Madridi zyrtar iu përgjigj ditën e mërkurë me një kundërkerkesë, për zbatimin e premtimit për shpërbërjen përfundimtare të grupit, përgjegjës për humbjen e qindra jetëve të njerëzve gjatë dekadave të rebelimit të armatosur të ekzistencës së tij.

Organizata, e konsideruar si terroriste nga Spanja dhe Franca, i dërgoi këtyre dy vendeve, mes të cilave krahina baske është e ndarë, një kërkesë për një “dialog direkt”, nëpërmjet një letre dërguar Agjensisë Franceze të Lajmeve “AFP”.

Sipas “ETA”-s, është i domosdoshëm një komunikim për t’i dhënë një “zgjidhje përfundimtare konfliktit”.

Megjithatë, Ministri i Brendshëm i Spanjës, Jorge Fernandez Diaz, deklaroi se vendi i tij nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve me terroristët.

Në 40 vjet ekzistencë, “ETA” është bërë përgjegjëse për qindra sabotime, pengmarrje dhe 830 vrasje të konfimuara.

Megjithatë, në vitet e fundit, disa prej anëtarëve kyçë të organizatës u arrestuan në Spanjë dhe në Francë.

Kur u lajmërua për një “armëpushim përfundimtar” në datën 20 tetor, mbi 700 anëtarë të grupit ndodheshin nëpër burgje.

Top Channel