Siri, Assad: Populli përkrah reformat e mia

16/05/2012 16:30

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të një jave më parë treguan qartësisht mbështetjen e popullit ndaj reformave të paralajmëruar nga regjimi i tij.

Në një intervistë të dhënë në një television rus, Assad theksoi gjithashtu se vota përfaqësonte një sinjal se sirianët nuk janë të trembur nga “kërcënimet e terroristëve”.

Komisioni zgjedhor lajmëroi se 51% e popullsisë mori pjesë në zgjedhjet e zhvilluara të premten e shkuar, ndërsa opozita e deklaroi votimin si një farsë.

Ndërkohë, vëzhguesit e OKB-së ndaj të cilëve u qëllua të martën, janë dërguar në një vend të sigurt, pasi kaluan një natë së bashku me luftëtarët rebelë.

Zëdhënësi i OKB-së, Hassan Seklawi, deklaroi se gjashtë skuadra vëzhguesish janë evakuar nga qyteti verior i Khan Sheikhoun dhe se tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Mbetet e paqartë se kush sulmoi forcat ndërkombëtae. Sipas kryengritësve, ishin ushtarët e Assad ata që hapën zjarr ndaj një grupi personash pjesëmarrës në një ceremoni mortore, midis të cilëve ndodheshin edhe vëzhguesit.

Për Damaskun zyrtar, atentati ishte vepër e “terroristëve”, ndërsa OKB ka fajësuar një pajisje shpërthyese të improvizuar për dëmtimet në makinat e saj, pa specifikuar detaje të tjera.

Që prej fillimit të konfliktit rreth 14 muaj më parë, mbi 9 mijë persona kanë humbur jetën në luftën civile sipas OKB-së, por burime të tjera përflasin për një bilanc tragjik deri dy herë më të madh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA