Rama: Po rrezikojmë integrimin

16/05/2012 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka shprehur shqetësimin për
kohën, e cila është duke mbaruar në plotësimin e kërkesave të Bashimit
Europian.

Sipas tij deklaratat e komisionerit Fyle dhe të ministrit danez për Europën, që ndodhet ne Tiranë, janë duke rënë në vesh të shurdhër.

Kryesocialisti Rama ka akuzuar kryeministrin Berisha se nuk po reagon ndaj deklaratave të ndërkombëtarëve.

“Jam shumë i shqetësuar sepse koha nuk pret dhe mesazhet e tyre, fare të qarta, po bien në veshët e shurdhër të qeverisë. Kryeministri nuk po shfaq asnjë shenjë vullneti për të vënë interesat e vendit mbi interesat e tij krejt personale. Ne nuk mund ta marrim statusin e kandidatit, nëse nuk mbyllim reformën zgjedhore para 24 majit dhe fatkeqesisht po digjen në dëm të procesit ditët e mbetura duke rrezikuar vetë procesin e integrimit dhe duke rrezikuar statusin e kandidatit për të mbrojtur KQZ-në e Ristanit apo për të mos lejuar asnjë transparence të mundshme, mbi materialet zgjedhore”, tha Rama.

Edi Rama ka komentuar se cfarë profili duhet të ketë Presidenti i ardhshëm.

“Ne duam një President për të gjithë shqiptarët. Kryeministri do një President për veten, po a mund të sakrifikohet interesi kombëtar dhe a mund të mbesë Shqipëria në provimin e vjeshtës për statusin e vendit kandiat në Bashkimin Evropian vetëm e vetëm sepse Kryeministri kërkon me çdo kusht të fusë në rreshtin e vartësve të tij, edhe presidentin edhe Prokurorin e Përgjithshëm, edhe Kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, edhe kryetarin e Shërbimit Informativ?”, tha Rama.

Nga selia rozë Edi Rama i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha që të lërë akuzat dhe luftën ndaj opozitës, pasi është koha për konsensus në të mirë të vendit, për ta kaluar me sukses provimin e vjeshtës në marrjen e statusit të vendit kandidat.

 

Top Channel