U nis drejt hapësirës në orën 18:37 me orën lokale, anija kozmike kineze, Shenzhou-9. Në bordin e saj ndodheshin tre astronautë kinezë, mes të cilëve një femër.
Raketa hapësinore u nis me sukses dhe stacioni i saj është laboratori hapësinor kinez, Tiangong ku tre astronautët do të qendrojnë për një javë duke testuar sisteme të reja dhe një sërë eksperimentesh të tjera shkencore.
Para nisjes, tre astronautët parakaluan tek zyrtarët e lartë të Partisë Komuniste, medias e personave të tjerë të njohur nga bota e kulturës, artit dhe biznesit kinez.
Gjithcka ka funksionuar sipas parashikimeve dhe dhjetë minuta më vonë, raketa hapësinore hapi panelet për të shfrytëzuar energjinë diellore. Mbërritja për në laboratorin hapësinor, Taingong është përashikuar të ndodhë në orët e para të ditës së hënë.
Misioni ka ngjallur krenari dhe patriotizëm në Kinë, që me platformën e saj hapësinore prej 60 tonësh, edhe pse shumë larg konkurencës me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (400 ton platformë e pajisje), që shfrytëzohet nga SHBA, Europa, Rusia dhe Japonia, sërish ka hedhur një hap galopant në luftën për pushtimin e hapësirës.
Top Channel