Rapartuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek i ka dhënë të drejtë kritikave të kryeministrit Hashim Thaçi ndaj Brukselit, se nuk ka një vizion të qartë për Kosovën.

Në një intervistë për “RTK”, Lunaçek ka bërë përgjegjëse disa vende të caktuara të Bashkimit Evropian, të cilat edhe pse e kanë njohur pavarësinë e shtetit të ri, po neglizhojnë përsa i përket proçesit integrues të tij.

“Unë pajtohem me deklaratat e kryeministrit dhe të gjithë ata që me njohin në Kosovë e dinë se unë e kam kritikuar BE-në dhe në veçanti disa shtete anëtare. Jo BE si Union, por disa shtete të bllokut nuk po tregojnë vullnet që të përshpejtojnë sa duhet premtimin për proçesin e liberalizimit të vizave. Dhe në këtë drejtim, Thaçi ka të drejtë kur kritikon”, ka deklaruar Lunaçek.

Përsa i përket veriut të Kosovës, eurodeputetja është shprehur kundër opsionit për një status special, duke vlerësuar se pakoja e Marti Ahtisarit përfshin një lloj autonomie si për pakicën serbe ashtu edhe për pakicat e tjera.

Nga ana tjetër, ajo ka kundërshtuar çdo mundësi për përdorimin e forcës në këtë zonë, duke nënvizuar se ndërhyrja ushtarake nuk është rruga e duhur për të zgjidhur problemin.

“Çdo përdorim i forcës në veri nga ana e qeverisë së Kosovës mund të prodhojë një konflikt të ri. Por, nëse kjo bëhet në rrugën e bisedimeve, që kosovarët të ulen në tryezë dhe t’ua shtrijnë dorën serbëve në veri, kjo do ta përjashtonte mundësinë e një konflikti të ri”, ka theksuar Lunaçek.

Më tej, pavarësisht se i ka mbështetur deklaratat e kryeministrit Thaçi, Lunaçek i ka kujtuar atij se edhe ai vetë duhet të respektojë detyrimet e marra përsipër karshi Brukselit, për implementimin e reformave që duhen për të përshpejtuar proçesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit.

Top Channel