Një shtetas gjerman, i cili pretendon se u rrëmbye nga CIA pak pas ndërhyrjes amerikane në Afganistan, dërgoi çështjen e tij në gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut ditën e mërkurë.
Khaled al-Masri u mor peng ndërsa ndodhej në Maqedoni në vitin 2003 dhe u fluturua në Afganistan, ku u mbajt i mbyllur për pesë muaj në një qendër burgimi për të dyshuarit si të përfshirë në aktivitete terrorizmi.
Tashmë, al-Masri synon që të bëjë Maqedoninë dhe SHBA-në të pranojnë rolin e tyre në trajtimin jashtë çdo ligji ndërkombëtar dhe në kundërshtim të plotë me parimet themelore të të drejtave të njeriut.
Sipas tij, ai u mbajt për pesë muaj në qendrën e ndodhur praën Kabulit, ku u drogua sistematikisht, u rrah dhe u poshtërua në mënyra çnjerëzore, për të pranuar krime që nuk i kishte bërë dhe për të dhënë informacione që nuk i dinte.
Pasi amerikanët kuptuan se gjermano-libanezi nuk ishte njeriu që ata kërkonin, ai u rikthye mbrapsht, duke u hedhur buzë një rruge në Shqipëri.
Sipas tij, dërgimi në vendin tonë ishte pjesë e operacionit të mbulimit, për ta bërë të dukej zhdukjen e tij të mistershme si një pengmarrje nga ndonjë organizatë e krimit të organizuar.
Më përpara, një tentativë e tij për të paditur 13 agjentë të CIA-s në një gjykatë amerikane dështoi dhe drejtësia gjermane gjithashtu nuk ka pranuar ta marrë përsipër çështjen.
Për këtë arsye, al-Masri vendosi të ngrejë padinë e tij në Gjykatën e Hagës.
Top Channel