Siria, si Iraku i vitit 2004

15/05/2012 02:45

Kaloi një muaj që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit në Siri si hapi i parë i planit të paqes së mbështetur nga kombet e bashkuara me një ekip monitoruesish të shpërndarë në terren për mbikqyrjen e progresit. Por është e qartë se nisma nuk e ka ndaluar dhunën.

Raportet për shpërthime, bomba e të shtëna janë të përditshme teksa grupet opozitare dhe forcat e regjimit të Bashar Al Assadit përplasen prej më shume se një viti. Atëherë në cfarë pike ndodhet konflikti i Sirisë?

Së pari, krijimi i një imazhi të saktë mbi shkallën e vërtetë të dhunës në Siri, është vështirë të krijohet, për faktin e thjeshtë se aksesi i medias atje është tepër i limituar dhe vëzhguesit e OKB-së, ende të paktë në numër, nuk arrijnë të monitorojnë cdo vatër të nxehtë konflikti.

Një gjë është e sigurtë: pushim-zjarri nuk po funksionon. Cdo ditë ka njoftime për sulme, zjarri i artilerisë vazhdon pa dallim. 60 vetë u vranë vetëm tre ditët e para të javës së kaluar, thotë observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër.

Arrestimet dhe torturat po shtohen, forcat e qeverisë vazhdojnë presionet mbi popullatën. Tabloja e përgjithshme është e zymtë. Sirisë po i shterojnë opsionet, thonë diplomatët.

Ajo që ka ndryshuar këto muajt e fundit është emergjencave e shpërthimeve me bomba që kanë vënë në shënjestër ndërtesa qeveritare, sic ishte sulmi i së enjtes në lagjen Al Qazzaz që vrau 55 vetë.

Ministria e Brendëshme siriane flet per akte terroriste, shumica e viktimave të të cilëve sipas saj, janë civilë. Dhe në fakt, duket se në Siri kanë nisur të shfaqen celulat xhihadiste. Një prej tyre, Fronti Nusrah, ofroi pamje filmike si provë për një sulm kamikaz në kryeqytet, të kryer diku nga janari. I njëjti grup mori përgjegjësinë edhe shpërthimin e javës së kaluar.

Edhe pse disa pretendime të tij nuk mund të vërtetohen, zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar nga shtimi i elementëve xhihadistë në radhët e rezistencës siriane. Kjo e fundit ka nisur të militarizohet duke i përngjasuar gjithmonë e më shumë fazave fillestare të rebelimit irakian në 2004-ën e duke shtuar frikën se vendi po shkon drejt zhytjes në një abis të ngjashëm me të.

Top Channel