Respektimi i të drejtave të të gjitha gjitha bashkësive entike dhe religjioze është kusht i rëndësishëm për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Kjo ishte porosia që u përcolli në Shkup ministri danez për cështje evropiane Nikollaj Vamen autoriteteve maqedonase lidhur me situatën e krijuar pas vrasjes së pesëfishtë dhe protestave që u nxitën pas arrestimit të 20 shqiptarëve nga policia maqedonase.

“Është e qartë se pjesë e vlerave evropiane është respektimi i të gjitha bashkësive entike dhe sundimi i së drejtës. Çdo vend që ka aspirata që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duhet të respektoj dhe të punoj në pajtim me këto parime. Kjo është një porosi e qartë e Bashkimit Evropian drejt çdo vendi që dëshiron të bëhet pjesë e klubit tonë. Respektimi i religjioneve dhe kulturave të ndryshem është pjesë e vlerave evropiane dhe kjo është shumë e rëndësishme për anëtarsimin e vendit në BE”, tha Nikollaj Vamen, Ministri i Çështjeve Evropiane të Mbretërisë së Danimarkës.

Ministri danez, vendi i të cilit aktualisht kryeson me BE-në, këto komente i bëri pas takimit me zv/kryeministren e Maqedonisë për cështje evropiane zonjën Teuta Arifi, e cila tha se zhvillimet e fundit duhet trajtuar në mënyrë serioze. Ajo po ashtu kërkoi kontributin e gjithë shoqërisë për uljen e tensioneve.

“Konsideroj se të gjithë faktorët në shoqëri, por edhe ndëkombëtarisht duhet të japin kontributin e tyre që proceset që lidhen me realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe rruga e hapur evropiane të mundësojnë një qetësi më të madhe në proceset e mëtutjeshme. Agjenda evropiane është agjenda më e sigurt për tejkalimin e problemeve të ndryshmetë cilat mund të jenë të pranishme jo vetëm këtu por edhe në tërë rajonin”, tha Teuta Arifi, zv/kryeministre e Maqedonisë për cështje evropiane.

Disa ditë pas protestave në Shkup, Komisioni Evropian ka kërkuar që njejtat të ndërpriten dhe të lihen  autoritete vendore ta zbardhin vrasjen e pesëfishtë. Ndërkohë, të hënën policia maqedonase ka bërë të ditur se ka identifikuar 14 persona të cilët kanë gjuajtur me gurë drejt uniformave blu, godinës së Qeverisë, Komunës së Çairit, dhe selisë së BDI-së gjatë protestës së të premtes.

Top Channel