Një komandant islamik i lëvizjes rebele në Libi, Abdel Hakim Belhadj, vendosi të dorëhiqej nga detyra e tij zyrtare, në mënyrë që t’i përkushtohet kalimit në politikë.
Belhadj, një prej udhëheqësve kryesorë të luftës kundër diktatorit Muammar Gaddafi, i vrarë në tetor 2011 pas nëntë muajsh lufte civile, planifikon të konkurrojë në zgjedhjet që do të mbahen në muajin e ardhshëm.
Ai është një ish-anëtar i një organizate islamike, e cila tentoi të organizonte një grusht shteti ndaj Gaddafit në fillimin e viteve 1990.
Konkurrimi i një figure popullore si Belhadj shton dyshimet në lidhje me të ardhmen që do të ketë qeveria e ardhshme në vendin e pasur me naftë të Afrikës Veriore.
Sipas të gjitha gjasave, ashtu si në Egjiptin fqinj, forcat që mbështesin një program islamik për shtetin, përfshirë edhe aplikimin e ligjit fetar, pritet të dominojnë pas zgjedhjeve, të parat në vend që pas luftës civile.
Belhadj është bërë i njohur për opinionin ndërkombëtar edhe për një padi të ngritur ndaj Britanisë së Madhe, të konsideruar prej tij si fajtore për dorëzimin e tij tek autoritetet libiane në vitin 2004, pasi u kap në arrati.
Ish-gjenerali pretendon se gjatë burgosjes në Libi, ai iu nënshtrua torturave sistematike dhe seancave pyetësore, në të cilat agjentë sekretë amerikanë apo britanikë, ishin gjithashtu pjesëmarrës përkrah bashkëpunëtorëve të tyre libianë.
Top Channel