HEC-et, abuzimi me koncensionet

15/05/2012 19:45

Kontrolli i lartë i shtetit deklaroi se abuzimet me koncesionet në energjetikë i kanë kushtuar buxhetit të shtetit dhe ekonomisë kombëtare mbi 18 milionë dollarë.

Në një raport kontrolli, i pari që bëhet për koncesionet e heceve, KLSH konstaton se nga 126 koncesione të audituara, mbi 65 për qind e tyre kanë shkelje të rënda ligjore.

KLSH thotë se shkeljet janë të shumëllojta, që nga mosrespektimi i afateve për ndërtimin dhe deri tek mospagesa nga ana e koncesionarëve e tarifave të detyrueshme.

Vetëm kjo e fundit thotë KLSH i ka shkaktuar buxhetit mbi 1.1 miliardë lekë ose 11 milionë dollarë të ardhura të munguara.

KLSH thotë se në shumë kontrata të nënshkruara, që kanë hyrë në fuqi, ka shkelje dhe mangësi në respektimin e kushteve të kontratës, mungesë dokumentacioni për investimet e kryera dhe mosplotësim të dokumentacionit ligjor që kërkon kontrata koncesionare.

Gjithashtu, vëren KLSH në disa raste koncesionarët fillojnë punimet pa marrë më parë lejen e ndërtimit, një kërkesë kjo e detyrueshme.

Në raportin e nxjerrë pas kontrollit, KLSH cek edhe cështjen e zvarritjes së punimeve dhe shtyrjes së afateve për ndërtimin e Heceve.

Raporti i kontrollit të lartë thotë se shumë shtyrje afatesh bëhen vetëm me firmën e titullarit në Ministri dhe pa kontrata shtesë ashtu siç e kërkon ligji.

Në përfundim të këtyre shkeljeve të konstatuara KLSH ka rekomanduar 23 masa organizative, mes të cilave rekuperimin e plotë nga shoqëritë koncesionare të të ardhurave që mungojnë në buxhet dhe disa ndryshime ligjore.

Po kështu, KLSH ka çuar në Prokurori për ndjkje penale 5 funksionarë të lartë në Ministrinë e Ekonomisë dhe agjencive në varësi të saj dhe ka kërkuar largimin nga puna për gjashtë punonjës të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA