Forcat e BE-së sulmojnë piratët

15/05/2012 15:25

Forcat detare të Bashkimit Europian kanë ndërmarrë një sulm të parë mbi bazat e piratëve në thellëzinë e territorit somalez, duke shkatërruar disa gomone dhe mjete të lehta që i shërbenin atyre për të pengmarrë anijet.

Përveç bombardimit nga deti, një njësi elitë e BE-së u transportua me helikopter në thellësi të territorit të vendit afrikan, në një tentativë për të liruar disa pengje që besohet se mbahen në zonë.

Piratët somalezë e kanë shndërruar piraterinë në det në një aktivitet tejet fitimprurës, pasi kërkojnë shumë të mëdha për lirimin e anëtarëve të ekuipazhit dhe anijeve të cilat sekuestrojnë në ujrat e Oqeanit Indian.

Aktiviteti i tyre i ka sjellë miliarda euro humbje tregëtisë botërore, nga dëmet e shkaktuara dhe nga rritja e kostove për eskortimin e anijeve transportuese.

Aktualisht, piratët janë duke mbajtur 17 anije dhe rreth 300 marinarë në zona të ndryshme të vendit.

Në sulmin e fundit të piratëve, anija çisternë greke “Smyrni” u pengmor pranë brigjeve të Omanit dhe është duke udhëtuar drejt territorit somalez.

Çisterna, e drejtuar nga 15 marinarë, transportonte mbi 135 mijë tonë naftë, që ka një kosto prej dhjetëra miliona dollarësh.

Top Channel