Siri, goditje e rëndë për ushtrinë e Assad

14/05/2012 15:15

Të paktën 30 persona, midis të cilëve edhe 23 ushtarë, mbetën të vrarë në përleshjet e ashpra të ndodhura në qytetin e Sirisë Qëndore, në Rastan.

Lajmin e raportuan ditën e hënë grupet e aktivistëve jashtë vendit. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut shtoi se me dhjetëra të plagosur u shënuan njëkohësisht në krahinën kryengritëse të Homsit, e bombarduar sërisht me artileri nga forcat qeveritare.

Nëse lajmi për vrasjen e 23 ushtarëve do të konfirmohet, kjo goditje do të regjistrohet si më e përgjakshmja ndaj forcave të Bashar al-Assad, që prej fillimit të konfliktit, 14 muaj më parë.

Viktimat u shkaktuan pasi tre kamionë të mbushur me ushtarë u goditën me predha antitank nga ana e rebelëve, kur autoritetet lëshuan një sulm ndaj Rastanit, pavarësisht armëpushimit që e ndalon diçka të tillë.

Në muajin prill, falë ndërmjetësisë së Kofi Annan, Organziata e Kombeve të Bashkuara arriti të merrte firmën e Damaskut zyrtar dhe kryengritësve për zbatimin e një armëpushimi me gjashtë pika, por që në terren është zbatuar në mënyrë tepër të kufizuar dhe ka rezultuar gjerësisht i paaftë për të frenuar përballjet vdekjeprurëse.

Plani prej gjashtë pikësh i paqes, i firmosur në 12 prill, parashikon:

1) Proces politik për të adresuar aspiratat dhe shqetësimet e popullit sirian
2) Fundin e dhunës së armatosur në të gjitha format, nga të gjitha palët, për të mbrojtur civilët
3) Të gjitha palët të garantojnë kushtet për ndihmën humanitare në të gjithë zonat e prekura nga konflikti
4) Autoritetet të intensifikojnë ritmin dhe shkallën e lirimit të personave që janë burgosur në mënyrë arbitrare
5) Autoritetet të garantojnë lirinë e lëvizjes në të gjithë vendin për gazetarët
6) Autoritetet të respektojnë lirinë e grumbullimeve dhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore.

Sipas të dhënave të besueshme të OKB-së, mbi 9 mijë persona janë vrarë që prej fillimit të protestave në mars 2011. Për aktivistët, viktimat janë 20 mijë, ndërsa për qeverinë, vetëm 3 838, midis të cilëve 1 345 ushtarë.

Ndërkohë, Bashkimi Europian imponoi një tjetër raund sanksionesh ndaj Sirisë, të 15-tat deri tani, në një përpjekje për të rritur më shumë presionin ndërkombëtar mbi qeverinë.

Top Channel