Obama: Reformim të mëtejshëm Wall Street-it

14/05/2012 21:30

Rasti i “JP Morgan” mund të çojë në ndryshime rrënjësore në botën financiare të Shteteve të Bashkuara, që do të shkojnë përtej atyre që mund të zbardhen nga mediat.

“Faktet e “JP Morgan” nuk bëjnë gjë tjetër veçse nënvizojnë arsyen për të cilën ka qenë e nevojshme reforma në Wall Street”, thotë Jay Carney, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

“Gjithashtu, tregojnë përse është thelbësore që kjo reformë të aplikohet në mënyrë tërësore”, deklaron më tej zëdhënësi i presidentit Barack Obama.

Tani, bota e financës amerikane i druhet një reformimi të ri alla “Volcker Rule”, norma që merr emër nga ish-presidenti i Federal Reserve, Paul Volcker, që e propozoi për të rregulluar tregtinë bankare.

Humbjet e regjistruara nga institucioni madhor bankar konsiderohet si një nga “vrimat e zeza” më të bujshme në historinë e financave botërore.

Nuk ndodh çdo ditë të humbësh të paktën 2 miliardë dollarë, edhe pse zëra të pakonfirmuar flasin për 3 miliardë, me një aktivitet të lidhur me investimet mbi derivatet.

Gjithashtu, kriza ku ka hyrë “JP Morgan” ka shënuar edhe fundin e karrierës për një nga gratë më të njohura dhe më të paguara të financës botërore, Ina Drew.

Drew ka qenë shefe e oficerëve të investimeve të “JP Morgan Chase” dhe krahu i djathtë i vetë shefit të bankës, Jamie Dimon. Ajo dha dorëheqjen menjëherë pas publikimit të skandalit.

Top Channel