Në pranga krahu i djathtë i Joseph Kony

14/05/2012 15:55

Një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të famëkeqit Joseph Kony u arrestua të hënën në një aksion të realizuar nga ushtria ugandeze, deklaroi një zëdhënës zyrtar gjatë së hënës.

Ceasar Achellam, i akuzuar edhe ai për krime kundër njerëzimit, bashkëpunëtor në mijëra vrasje dhe zhvatjen e fëmijëve që përdoren si ushtarë apo skllavë seksualë, u kap i gjallë pas një përleshje midis një njësie ushtarake dhe 30 truprojave që e shoqëronin.

Komandanti, i cili sipas ekspertëve ishte truri i strategjive ushtarake të ushtrisë rebele, u arrestua në Republikën e Afrikës Qëndore, një prej disa vendeve kur Kony dhe pasuesit e tij kanë terrorizuar popullsinë vendase.

Pas arrestimit të tij, Achellam i tha reporterëve: “Gjenerali i brigadës, Ceaser Achellam, i cili ka luftuar në xhungël që prej vitit 1984, është tashmë në duart e Ushtrisë së Ugandës”.

Një zëdhënës ushtarak i qeverisë së vendit të varfër afrikan, e cilësoi arrestimin e tij si “një ngjarje madhore, pasi Achellam është një prej figurave kryesore të rebelëve dhe një prej atyre pak “peshqve të mëdhenj” që mund të ofrojnë shumë informacione të dobishme”.

Uganda, një prej vendeve më të varfëra në botë, me sipërfaqe të ngjashme sa Rumania dhe popullsi prej 36 milionë banorësh, është shteti më i prekur nga aktiviteti i Ushtrisë së Rezistencës së Zotit, e udhëhequr nga Joseph Kony, i vendosur në krye të listës së kriminelëve të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Top Channel