Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ka deklaruar se nuk kanë nisur ende zyrtarisht bisedimet me serbët e veriut, me qëllim vendosjen e rendit dhe qetësisë në këtë zonë.

“Ne jemi në kontakt me qytetarët serbë atje përmes partnerëve tanë qeveritarë, që vijnë nga partitë serbe, përmes faktorit ndërkombëtar apo drejtpërdrejtë. Por kontakte dhe dialog formal nuk ka”, ka deklaruar Kuçi.

Ministri i Drejtësisë ka thënë se qeveria Thaçi është e gatshme të nisë një dialog serioz me qytetarët e saj, por në asnjë mënyrë të dalë nga plani i Ahtisarit, mbi të cilin u shpall dhe pavarësia e Kosovës.

“Në veri të Kosovës ka nevojë për rend dhe ligj, kontroll më të fortë të kufijve, forcim të zinxhirit komandues dhe krijimin e kushteve që t’u mundësojnë qytetarëve të mendojnë dhe veprojnë të lirë”, ka shtuar Kuçi.

Lajmi për nisjen e dialogut me serbët e veriut u dha nga e përditshmja kosovare “Tribuna Shqiptare”, që citonte burime pranë kabinetit të kryeministrit Hashim Thaçi.

Gazeta shkruante se, së fundmi ishte rritur numri i qytetarëve të veriut të cilët donin të bisedonin me qeverinë për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës.

Nga ana e saj qeveria, shkruante më tej gazeta, ka kërkuar nga serbët e veriut që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të biseduar me përfaqësuesit e institucioneve. 

Top Channel