Avokatët mbrojtës të ish-gjeneralit kroat Ante Gotovina i kanë kërkuar të hënën Dhomës së Apelit në Hagë shfuqizimin e vendimit për mbajtjen në burg të tij.

Gotovina ndodhet në Hagë për akuzën e përndjekjes së popullsisë serbe në krahinën e Kninit, gjatë operacionit “Stuhia”, në gusht të vitit 1995.

Më 15 prill të vitit të kaluar, shkalla e parë e gjykatës e dënoi ish-gjeneralin kroat me 24 vjet burg për akuzën në fjalë.

Ndërkohë, avokatët e tij insistojnë se nuk ka pasur përndjekje të popullsisë serbe në Kninë, por ky komunitet është larguar vetë, pas urdhërave të marra nga liderët serbë.

Ante Gotovina ndodhet në burgun e Shveningenit, në Holandë, që prej vitit 2005, kur dhe u arrestua në Spanjë pas një arratije të gjatë.

Karrierën e tij ushtarake ai e ka nisur në moshë të re, duke u bërë pjesë e legjonit francez, ku fitoi reputacionin e një luftëtari të patrembur.

Gjatë shërbimit në këtë njësi, Gotovina ka luftuar në zonat më të prekura nga lufta në Afrikë, si dhe në Amerikën Latine, ku ka stërvitur formacionet paraushtarake vendase.

Pas shërbimit në legjonin francez, ai u kthye në Kroaci, ku në fillim të viteve ’90 luftoi për shkëputjen dhe pavarësinë e vendit nga Federata e atëhershme Jugosllave. 

Top Channel