Dritani dhe Gerta në “Pasdite”

14/05/2012 20:00

Siç është bërë një traditë e çdo dite të hënë, në emisionin e “Pasdites” në “Top-Channel”, ishin të pranishëm dy banorët e fundit të eliminuar nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.

Dritani dhe Gerta, pas intervistave në studio dhe në “Fan Club”, rrëfyen ditët e tyre të para pas përfundimit të ëndrrës së tyre 100 milionëshe, si dhe të gjithë përvojën e emocionet brenda “Big Brother”, në një intervistë gjatë së cilës u vendosën përballë kritikave të gazetarit të vendosur në rolin e analistit, Flavio Qarrit.

“Gjëja e parë që kam bërë pas daljes nga shtëpia ishte të takoja familjarët dhe të jepja disa intervista të ndryshme. Të gjithë më thanë që isha më i miri, por jo gjithmonë fiton më i miri në jetë (qesh). Mendoj se hyra me vonesë dhe kjo në rastin tim më penalizoi. Njerëzit brenda nuk ishin të lirshëm, formuan klane dhe në atë ambient ishte e vështirë të evidentoheshe. Gjithsesi, jam i kënaqur për pjesëmarrjen time në “Big Brother”, edhe sepse kjo ka qenë një ëndërr e hershme e nënës sime”, tha Dritani, i cili u shpreh i zhgënjyer nga niveli i ulët i bisedave dhe banorëve të tjerë në studio.

“Ishte një ambient bërrylash. Kjo mund të pritej deri diku, por më thoni se cili konkurrent ka lënë një shembull për shqiptarët dhe se sjellja e kujt mund të veçohet”, shtoi Dritani.

Nga ana e saj, Gerta theksoi se shijoi çdo minutë të eksperiencës së saj brenda “Big Brother”, në të njëjtën kohë që komentoi edhe kritikat për veshjen apo sjelljen e saj ekstravagante. “Jam kënaqur shumë brenda shtëpisë. E di që banorët u kapën tek veshja, tek tualeti e takat, por kjo është normale kur nuk ke se ku të kapesh tjetër. Jam tip që dua të eksperimentoj, të provoj gjithçka emocionuese dhe Bigun e kam parë gjithmonë të tillë, si një burim emocionesh të mëdha, veç famës që të nevojitet”.

Sipas Gertës, një kënaqësi e madhe për të përbën fakti që është shndërruar në shembull për shumë të reja të tjera shqiptare. “E vërteta është që u mërzita teksa dola. Nuk e prisaj dhe në “Facebook” kam lexuar shumë komente pozitive për mua. Më erdhi veçanërisht mirë që shumica dërrmuese e kërkesave të miqësimit më kishte ardhura nga vajza të moshës sime, çka më bën të kuptoj se kam përfaqësuar shumë prej tyre në aventurën time atje brenda”.

Në intervistën e saj, Gerta shpjegoi edhe marrëdhënien me Arbin, të cilin e cilësoi vetëm si një mik dhe hodhi poshtë çdo spekulim për një raport intim midis tyre pas daljes së tij nga shtëpia. “Mami ishte mërzitur shumë nga afrimiteti i Arbit ndaj meje. Kjo ishte kritika e saj e parë dhe e vetme. Nga ana tjerë, duke parë fundin, Arbin, mendoj se raporti me të ishte pjesë e lojës, pasi kur dikush që të pëlqen kënaqet aq shumë kur del, nuk është normale. Me të kam pasur një miqësi dhe e përjashtoj çdo lidhje kur të dalë jashtë”.

Gerta, e cila pranoi se nuk e di se çfarë e ka penalizuar tek publiku, hodhi poshtë besimin e përhapur se priret ndaj një jete ekstravagante, ndërsa tha se planet e saj të ardhshme përqendrohen tek hapja e një lokali me familjen dhe krijimi i përvojës në fushën për të cilën ajo është diplomuar, në juridik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA