“Asnjë komplot për vrasjen e Dalai Lamës”

14/05/2012 15:40

Pekini zyrtar reagoi me agresivitet ndaj një artikulli të një gazete kineze në diasporë, ku zbulohej një plan i detajuar për vrasjen e liderit shpirtëror të tibetianëve, Dalai Lamës.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme i cilësoi akuzat si “të pabaza” dhe “keqdashëse”.

Lajmi i publikuar në gazetën “Global Times” i referohej vetë fjalëve të Lamës, i cili pretendoi se një agjente femër ishte paguar për t’iu afruar dhe për ta helmuar atë.

”Këto zbulime të bujshme as që meritojnë të komentohen. Ato janë tërësisht të pabaza. I veshur me një mantel fetar, Dalai Lama vazhdon misionin e tij ndërkombëtar të frymëzimit të lëvizjeve separatiste kundër interesave të Kinës”, deklaroi zëdhënësi, që shtoi: “Komploti i vrasjes së tij është diçka që mund të gjendet nga një novelë e arteve marciale. Duke ofruar një informacion të tillë kaq të pabesueshëm, Dalai duket se ka filluar të humbasë kthjelltësinë e tij me moshën”.

I shpallur një qytetar “non grata” në Kinë, Dalai Lama akuzohet prej kohësh prej Pekinit zyrtar për tentativat e tij të ndarjes së Tibetit, me qëllimin e themelimit të një shteti të ri.

Ndonëse ka një gjuhë dhe tradita të ndryshme nga Kina, krahina malore me tre milionë banorë është formalisht pjesë e Republikës Popullore të Kinës, brenda së cilës gëzon të drejta autonomie të zgjeruar.

Top Channel