Teatri Kombëtar i Shqipërisë po shfaq këtë fundjavë në Londër në teatrin ‘The Globe’ veprën e Shekspirit ‘Henri VI’, në festivalin global të Shekspirit duke arritur një sukses impresionues në teatrin e mbushur me shumë spektatorë në tërë këtë aktivitet.
Shqipëria merr pjesë në këtë festival ku 37 vepra të ndryshme të bardit të famshëm anglez po luhen nga 37 trupa teatrore nga më të përzgedhurat në botë. Është hera e parë që Tetatri Kombëtar me një histori 70-vjeçare merr pjesë në këtë festival prestigjoz që është krahasuar edhe si Kampionati Botëror i Teatrove.
Teatri ku po zhvillohet festivali është ‘The Globe Theatre’, shtëpia teatrale e dramaturgut të madh anglez, në brigjet e lumit Tamiz. Në regjinë e regjisorit të talentuar Adonis Filipi, janë emra të njohur të aktrimit shqiptar që po performojnë në “Teatrin e ëndrrës së aktorëve në “The Globe” të Londrës, si Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Kristaq Skrami, Vasjan Lami, Mariana Kondi, Ahmet Pasha, Fatos Sela, Piro Tanku etj.
Rolet kryesore interpretohen nga Indrit Çobani dhe aktorja e re Ermira Hysaj, e cila ka debutimin e parë në Teatrin Kombëtar.
Drejtori i Teatrit Kombëtar, z. Kristaq Skrami, me të cilin u takuam në ambjentet e ‘The Globe’ thotë për Top-Channel në Londër se është një nder dhe përgjegjësi shumë e madhe të luash në shtëpinë e Shekspirit.
“Për çdo aktor është ëndërr dhe nder të luaj në këtë skenë. Dhe unë ua kam thënë disa herë kolegëve dhe miqve të mi se është një shans dhe fat i madh që ta shkruash në CV-në tënde që kam luajtur në ‘Globus Teater’, tek shtëpia e Shekspirit dhe të luash një vepër të tillë siç është Henri i VI. Natyrisht jam i emocionuar, i kënaqur dhe i gëzuar”, shprehet Skrami.
Ndërkohë drejtori i Teatrit të Shekspirit, z.Tom Bird, e cilësoi lojën e aktorëve shqiptarë jashtëzakonisht bindëse dhe të fuqishme, një nga më ngazëllyeset deri më tani: “Henri i VI është hera e parë që është luajtur ndonjëherë në këtë teatër me famë botërore dhe është trupa e Teatrit të Shqipërisë që hyn në historinë e tij me vënien në skenë të kësaj vepre të Shekspirit dhe pikërisht në Londër.”
Prania e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë në festivalin poliglotik të veprave të Shekspirit në teatrin ‘The Globe’ të Londrës është një dhuratë e dyfishtë. Ajo është dhurata e Shqipërisë për Shekspirin e madh, po aq sa edhe një dhuratë angleze për Teatrin Kombëtar 70-vjeçar të Shqipërisë që merr pjesë për herë të parë në festivalin global të Londrës krahas trupave më të njohura teatrale të botës.
Top Channel