Rehn kundër politikave të Hollande

12/05/2012 21:15

Zyrtari më i lartë i BE-së për cështjet ekonomike kundërshton financimin e paketave të rritjes ekonomike me borxhe të reja, ndërsa u lëshon qeverive të bllokut një tjetër apel që t’u përmbahen reformave strukturore dhe uljes së defiçitit fiskal si rruga e vetme për daljen nga kriza.

Zgjedhja e presidentit të ri në Francë mbi platformën e politikave pro-rritjes, të cilat bien ndesh me iniciativën gjermane për masa shtrënguese anti-krizë, ka celur një debat mbi drejtimin që duhet të marrin politikat ekonomike si në nivel kombëtar, ashtu dhe në rangjet e larta të BE-së.

“Nuk e zgjidhim dot këtë krize duke i shtuar hua të reja pirgut të borxheve të vjetra që edhe kështu po i dëmton rëndë perspektivat e rritjes ekonomike. Ajo që duhet bërë pikë së pari, në këtë situatë është t’i mbahemi kursit të konsolidimit fiskal sepse përballemi me një nivel tmerrësisht të lartë të borxhit publik që në Europë është rritur nga 60 në 90%”, deklaron Olli Rehn, Komisioner për Cështjet Ekonomike në BE.

Për Olli Rehn, debati i konsolidimit përmes rritjes është krejtësisht i gabuar. Për kapërcimin e ngërçit vazhdimi i reformave është i detyrueshëm sipas komisionerit të ekonomisë, ashtu sic është edhe joshja sa më shumë e investitorëve publikë e privatë.

Fitorja e Francois Hollande në Francë ndaj Nicolas Sarkozy tregoi zemërimin e publikut atje me krizën ekonomike të Europës që ka rrëzuar një numër qeverish në mbarë kontinentin e vjeter.

Por tregjet financiare dhe mjaft liderë europianë nuk janë të sigurt se çfarë do të sjellë plani i tij ekonomik.

Top Channel