Federata fal Shkumbinin

12/05/2012 00:00

Të premten në orët e vona të natës, Komisioni i Apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit i riktheu skuadrës së Shkumbinit 3 pikët e hequra nga Komisioni i Disiplinës 3 ditë më parë.

Kështu Komisioni i Apelit nuk ka marrë për bazë relacionet e gjyqtarëve dhe vëzhguesve të ndeshjes Shkumbini-Flamurtari të publikuara në këtë fillim jave në emisionin “Procesi Sportiv”.

Komisioni i Apelit ka lënë në fuqi fitoren në tavolinë 3-0 të Flamurtarit ndërkohë që ka konvertuar heqjen e 3 pikëve nga klasifikimi i përgjithshëm në zhvillimin e 4 ndeshjeve pa tifozë, ndërkohë që është lënë në fuqi vendimin për  dënimin me pezullim nga aktiviteti për 10 ndeshje të zv/presidentit të Shkumbinit dhe deputetit të Qarkut të Elbasanit, Dashnor Sula.

Kështu pas këtij vendimi skuadra e Shkumbinit nuk është në vorbullën e “Play Out”-it dhe i duhet vetëm 1 pikë në Shkodër për të siguruar qendrimin në Superligë. Ende nuk kemi një reagim zyrtar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Pak kohë më parë në një ngjarje pothuajse të ngjashme, Komisioni i Apelit në FSHF i drejtuar në atë kohë nga Arben Rakipi, ndryshoi një vendim të Disiplinës, duke hequr dënimet për Flamurtarin dhe Pogradecin.

Ky vendim i Apelit solli reagimin e menjëhershëm të FSHF i cili u distancua dhe i cilësoi si jo korrekte. Kjo gjë solli dhe dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit të Komisionit të Apelit, Arben Rakipi, që iku duke bërë disa akuza ndaj FSHF-së.

Top Channel