Egjipt, zgjedhje më 23-24 maj

12/05/2012 17:20

Një vendim i Gjykatës Administrative në Egjipt u hapi dritën jeshile mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në datat 23 dhe 24 maj, ashtu sic ishte parashikuar që në fillim nga Komisioni Elektoral.

Gjykata vendosi gjithashtu të rrëzojë vendimin e gjykatës së qytetit Banha e cila urdhëroi mosmbajtjen e votimeve deri në momentin kur listat e kandidatëve të mos ishin pastruar nga emrat ish-drejtues të lartë të regjimit të Hosni Mubarak.

Gjykata Administrative në Kajro u vu në lëvizje nga Ahmad Shafik, kryeministri i fundit i regjimit të Hosni Mubarak, i regjistruar kandidat për president në minutat e fundit të afatit.

Kandidatura e tij kundërshtohet nga forcat revolucionare dhe ato islamike që kërkojnë “spastrim” të listave të kandidatëve. Kjo ka pasuar me protesta të shumta në vend, shoqëruar me disa viktima.

Në fund të këtij muaji mund të mësohet emri i presidentit të parë egjiptian të dalë nga zgjedhjet popullore, pas viteve të tëra regjimi të Mubarak. Zgjedhjet do t’i japin fund edhe tranzicionit të pushtetit dhe plotfuqishmërisë së Këshillit Suprem Ushtarak, që vepron si organ më i lartë ligjvënës dhe ligjzbatues që pas rrëzimit të Mubarak.

Top Channel