Burg përjetë vrasësit të familjes së Hudson

12/05/2012 03:00

Një juri në Shtetet e Bashkuara ka dënuar një person për vrasjen e tre
anëtarëve të familjes së aktores Jennifer Hudson në vitin 2008.

William Balfour, ish-kunati i Hudson, u dënua me burgim të përjetshëm për tre vrasje të shkallës së parë nga një juri në Çikago.

Prokurorët deklaruan se Balfour qëlloi mamanë e Hudson, vëllain dhe nipin 6-vjeçar pasi gruaja që e kishte braktisur refuzoi të bashkohej sërish me të.

Jennifer Hudson shpërtheu në lotë kur vendimi u lexua. Aktorja fituese e çmimit Oscar ishte dëshmitarja e parë e thirrur në gjyq dhe kishte ndjekur të gjitha dëshmitë.

Pas vendimit, ajo dhe motra e saj lëshuan një deklaratë të përbashkët ku thuhej: “Ne kemi vuajtur shumë për këtë tragjedi të tmerrshme”.

“I lutemi Zotit që ta falë Balfour për këto veprime rrëqethëse dhe që një ditë të sjellë paqe në zemrën e tij”, thanë dy motrat në deklaratë.

Ato falenderuan prokurorët për punën “e përkushtuar dhe të palodhur” dhe vlerësuan punën e policisë dhe dëshmitarët në proçes.

Juria diskutoi për tre ditë me radhë para se të jepte verdiktin e saj ndaj Balfour, 31 vjeç, që tani përballet me burgimin e përjetshëm.

Top Channel