Numri dy në botë, Rafael Nadal, kërcënoi me bojkotimin e të gjitha fushave me dhe blu, pasi u mposht nga Fernando Verdasco në raundin e tretë të “Madrid Open” (6-3, 3-6, 7-5).
I konsideruar gjerësisht si lojtari më i mirë i historisë në dhe, Nadal ka fituar së fundmi në Monte Karlo titullin e tij të tetë, përpara se të arrinte suksesin e shtatë radhazi në Barcelonë, fusha që nisin sezonin e ndeshjeve në dhe.
Ish-numri një në botë kishte fituar në të 13 përballjet e tij të mëparshme me Verdascon dhe me humbjen ndërpreu një seri prej 22 fitoresh radhazi në këtë sipërfaqe.
Pas humbjes, spanjolli deklaroi se të luash në një dhe artificial me ngjyrë blu nuk është e natyrshme dhe se sipërfaqja ndryshon shumë nga cilësitë e zakonshme të dheut.
”Lëvizja është shumë e rëndësishme në lojën time dhe në këto kushte nuk mund të lëvizja si doja. Nuk mund të gjuaja topin si dëshiroja dhe humba pasi meritoja të humbja”, deklaroi Nadal.
Më parë, edhe numri një në botë, Novak Djokovic, kishte kritikuar ashpër vendimin e organizatorëve të turneut të Madridit, për të përdorur këtë sipërfaqe sintetike. “Nuk mund të gjej fjalë për të përshkruar këtë sipërfaqe. Duhet një bisedë serioze rreth të ardhmes së kësaj sipërfaqe. Këtë vit nuk mund të ndryshojmë gjë, por përshtypjet e mia të para nuk janë të mira. Nuk dua të nis të ankohem, por kjo është ajo që ndiej”, deklaroi Djokovic, pasi u kualifikua në çerekfinale me fitoren ndaj Wawrinkës, 7-6, 6-4.
Top Channel