Korçë, nis debati për kreun e FRESSH

11/05/2012 18:15

Ka nisur pasditen e së premtes në Korçë debati mes 6 kandidatëve për kreun e FRESSH, ku i pranishëm është edhe kryetari i PS, Edi Rama.

Në fjalën e tij para nisjes së debatit, Rama është shprehur se, kjo është një eksperiencë e re për të rinjtë dhe atë vetë. “Ne do të nisim në Korçë një maratonë debatesh dhe jo një betejë përleshjesh”, ka deklaruar Rama në fjalën e tij.

Nisja e garës për kryetarin e ri të forumit eurosocialist u shpall të shtunën e kaluar në kodrat e liqenit, në Tiranë, ku të rinjtë u mblodhën së bashku.

Duke përshëndetur të rinjtë, kryetari i Partisë Socialiste, Rama u kërkoi kandidatëve që të bëjnë një garë model dhe të ndershme, për të treguar se ata përfaqësojnë njerëzit që duan të ndryshojnë Shqipërinë.

Zoti Rama u drejtoi të rinjve një fjalim me karakter të theksuar politik dhe elektoral. Duke përmendur shumë nga pikat e programit që Partia Socialiste po përgatit për qeverisjen e vendit, kreu i opozitës kërkoi që ky dokument politik për një Rilindje Shqiptare të mishërojë edhe rrugën e të rinjve drejt sfidave të ardhshme.

Gjashtë kandidatët do të paraqesin në takime të hapura me të rinjtë në qytetet kryesore të vendit platformat e tyre. Gara përfundon më 12 qershor, kur do të zhvillohet edhe kongresi zgjedhor i një prej organizatave socialiste më të rëndësishme në historinë e partisë rozë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA