Ndërsa fundi i “Big Brother” po afron, vëmendja dhe debate publik për fituesin e mundshëm është gjithmonë e më e ndezur.
Në studion e emisionit të “Pasdites”, tre vajza që njohin nga afër jetën e “Show-biz”, dhanë mendimet e tyre mbi shanset e tre konkurrenteve të mbetura femra për të bërë për vete çmimin e madh prej 100 milionë lekësh.
Klaudia, banore e eliminuar nga “Big Brother 5”, nisi bisedën duke komentuar shanset e Françeskës. “Besoj se dy arsyet kryesore që e kanë mbajtur brenda shtëpisë është lidhja me Ermalin dhe pamja. Personalisht, nuk kam ndonjë simpati të veçantë për të, por duhet pranuar se për moshën që ka, po tregohet shumë e shkathët dhe po bën një lojë vërtet shumë të zgjuar”.
Nga ana e saj, Aulona Musta, kryeredaktore e gazetës “Paloma”, e vlerësoi Françeskën pikërisht në këtë pikë. “E vërteta është se Françeska është një adoleshente si shumë të tjera, por ka atë plusin e lirshmërisë që shumë konkurrente të tjera femra në “Big Brother” nuk e kanë. Këtë e kam kuptuar në raportin e saj me babain. Në tërësi, ajo është një konkurrente interesante dhe me gjëra për t’u vlerësuar, por jam shumë kundër atyre vlerësimeve që e portretizojnë si shembull të rinisë shqiptare. Ajo është një 18-vjeçare e zakonshme, që bën të sajën për të arritur suksesin brenda shtëpisë”.
Aurela Hoxha, një specialize e modës, e vlerësoi me nota shumë më pozitive paraqitjen e Françeskës brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri. “Françeska më ka surprizuar, më pëlqen sepse është e lirshme, vetvetja, por ajo e tillë është duke qenë se e njoh dhe nuk besoj se e favorizon lidhja me Ermalin, sepse nuk është ndonjë risi një histori dashurie në “Big Brother”. Megjithatë, është një tip i veçantë, që ka përfituar edhe nga fakti se nuk ka femra të tjera të forta brenda shtëpisë. Nga ana tjetër, mendoj se nuk ka shumë të bëjë paraqitja e saj me atë që ka arritur brenda shtëpisë dhe besoj se realisht, midis asaj dhe Ermalit ka diçka të vërtetë”.
Në vazhdim, biseda u zhvendos në një tjetër konkurrente të “Big Brother” që ka bërë shumë të flitet për të në këtë edicion, tek Genta. “Atë e mbajtën në lojë batuta, miksimet, poezitë që bënte, humori deri këtu. Edhe fotot që i dolën ishte një fatkeqësi, por edhe një reklamë në atë moment, pasi publiku foli vazhdimisht për të dhe mendoj se publiku e mbështeti për këtë”, deklaroi Klaudia. “Ndonëse u skandalizova kur i pashë, më erdhi keq sepse nuk ishte dicka e bukur. Por, mendoj se si konkurrente është fikur dhe s’ka më asgjë çfarë të ofrojë në shtëpi. Disa javë më parë, Arjan Konomi (analisti i Big Brother) vlerësoi se ajo është bërë agresive, ka lënë batutat dhe mendoj se i ka ardhur limiti e nuk do të vazhdojë më në këtë rrugë”.
Sipas Mustës, nuk është vetëm Genta ajo që është fikur në këtë moment të “Big Brother”: “Me përjashtim të Arbrit, asnjë tjetër brenda shtëpisë nuk po shfaq energji në këtë moment. Ka personazhe që thonë kam për të dhënë dhe s’kanë dhënë ende asgjë. Megjithatë, unë kam simpati për gentën, mbase prej bejteve që bën, por të paktën, ndryshe nga të tjerë, është e aftë për diçka. Megjithatë, më bën përshtypje dhe pyes veten se si është brenda, pasi kushdo që ka dalë ka folur keq për të”.
Duke u përpjekur të japë një shpjegim për këtë, Klaudia theksoi se antipatia ndaj Gentës ndikohet prej faktit se ajo bën një strategji në bazë të së cilës është tentativa për t’u bërë miq me të gjithë, për t’i shitur në momentin që i leverdis më shumë”.
Në fund të serisë, biseda u përqendrua edhe tek konkurrentja e tretë femër e mbetur në shtëpi, Gerta. “Është një personazh që mua s’më pëlqen fare, sepse shoh mungesë karakteri tek ajo, dëgjoj vetëm çmime për rrobat dhe asgjë tjetër. Edhe gustot e veshjet janë aq të shtrenjta, sa që mua s’më pëlqejnë. Ka një stil që tregon më e madhe se mosha që ka, nuk më pëlqen absolutisht. Si konkurrente e shoh mbase të qëndrojë pak më gjatë se ka ngacmimin me arbrin, por nuk është konkurente e fortë”, vlerësoi Klaudia.
Sipas Aulonës, “Gerta ishte një personazh i këndshëm në momentin kur u fut për herë të parë brenda shtëpisë dhe duke qenë se i njihte kundërshtarët nga jashtë, vendosi të qëndronte përkrah më të fortit, Liamit. Megjithatë, mbeti në hijen e tij dhe besoj se është e para femër që do të dalë, sepse ka shumë më pak arsye për të qëndruar brenda se dy konkurrentet e tjera”.
Në fund, secila prej tre të ftuarve vlerësoi se do të jetë shumë e vështirë që në këtë edicion të shohim një fituese femër.
Top Channel