Eurozona, parashikime negative për 2012-n

11/05/2012 15:20

Ekonomia e Eurozonës pritet të vazhdojë të tkurret edhe gjatë vitit aktual, ndërsa kriza do të vazhdojë të sjellë rrjedhoja negative e frenim të rritjes.

Komisioni Europian, në parashikimin e tij të pranverës konfirmoi parashikimet e mëparshme për një kontraktim prej 0,3% të 17 ekonomive që përdorin monedhën e përbashkët euro gjatë vitit aktual.

Nga stanjacioni dhe recesioni pritet të dilet vetëm në 2013-n, kur rritja do të rikthehet, ndonëse e ngadaltë dhe në rendin e 1%.

Nga ana e tij, Komisioneri Europian për Marrëdhëniet Ekonomike dhe Monetare, Olli Rehn, u shpreh se “për Eurozonën, rikuperimi është tashmë në horizont. Megjithatë, situata ekonomike mbetet delikate, pasi ka ende pabarazi të theksuara midis vendeve anëtare”.

Në total, për të 27 vendet që formojnë Bashkimi Europian, parashikohet një rritje prej 0% gjatë vitit aktual dhe 1,3%, duke nisur nga viti i ardhshëm.

Duke u ndalur tek vendet specifike, shihet me optimizëm situata e Greqisë, që pas nëj recesioni prej 4,7% gjatë këtij viti, do të rikthehet në stanjacion në 2013-n, ndërsa papunësia do të vendoset nën kontroll, në rendin e rreth 20% të krahut aktiv të punës.

Spanja do të vazhdojë të mbetet vendi me problemet më të mëdha të papunësisë, ndërsa deri në fund të vitit ajo pritet që të thellohet me disa pikë përqindje, duke kaluar barrierën e 25,1%.

Top Channel