Flaka që do të përdoret për pishtarin e stafetës së London 2012 dhe Lojërave Olimpike, është ndezur gjatë një ceremonie tradicionale në Olimpia të Greqisë.
Një aktore në rolin e priftëreshës së lartë e ndezi flakën pranë rrënojave të tempullit të Herës duke mbledhur rrezet e para të diellit me një pasqyrë parabolike.
Ceremonia mbahet në një periudhe trazirash politike dhe ekonomike në shtëpinë e lojërave të lashta, ku do të zhvillohet një raund një javor i stafetës, ndërsa në Britani, flaka do të dërgohet në 18 maj, për një kalim 70 ditor të pishtarit në mbarë Mretërinë e Bashkuar.
“Flaka që ndezëm nga rrezet e dlira të diellit, është një simbol i fuqishëm i traditës dhe vlerave të nxjerra në pah nga ky moment. Është një fener i miqësisë, përsosmërisë dhe respektin që përcojnë këto lojëra, një simbol vëllazërie dhe paqeje”, deklaroi Jacques Rogge, president i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik.
Për Rogge, kjo është ceremonia e fundit e ndezjes së flakës në të cilën merr pjesë për shkak se do të largohet nga posti pas 12 vjetësh në drejtimin e Komitetit Olimpik.
Pas kësaj, flaka u vendos në një urne dhe u dërgua në të parin stadium mikpritës të lojrave të lashta olimpike. Nga aty, ajo do të ndezë pishtarin e kampionit të notit, Spyros Gianniotis me origjinë greke por i lindur në Liverpul, i cili do ta mbajë përgjatë gjithë rrugëtimit nëpër Greqi për t’ja kaluar më pas boksierit 19 vjecar Alex Loukos, i pari britanik mbajtës i pishtarit.
2.900 km do të përshkojë flaka nëpër Greqi, e kaluar në duart e 500 atletëve përpara se të lërë vendin.
Kur flaka është në avion, mbahet gjallë në një fener të posacëm. Ajo është përcjellë dikur edhe mbi shpinën e kuajve apo nën ujë, në mënyra gjithnjë më krijuese e ndonjëherë tepër të guximshme.
Zyrtarisht, Flaka Olimpike është një mesazh paqeje e miqësie, një thirrje që i bëhet botës për lojërat.
Top Channel